Maqedoni

“Mathew” godet Haitin, alarme evakuimi në të gjithë vendin

04.10.2016 14:03

Një prej uraganeve më të fuqishëm në Atlantik vitet e fundit ka prekur Haitin, duke sjellë erëra të forta e reshje të dendura shiu...

Edhe pse Uragani “Matthew”, një stuhi e kategorisë së katërt, nuk e ka goditur ende plotësisht pjesën perëndimore të Haitit, kushtet ekstreme të motit e kanë mbërthyer tashmë ishullin.
 
Stuhia që po avancon me hapa tepër të shpejtë mund të sjellë deri në 102 cm shi dhe erëra që do të arrijnë shpejtësinë e 230 km në orë, me shumë gjasë duke shkaktuar edhe rrëshqitje dheu.
 
Që në mëngjes është raportuar një i vdekur. Bëhet fjalë për një peshkatar që u mbyt në detin e trazuar si pasojë e stuhisë.
 
Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve të grumbullojnë rezerva ushqimore dhe uji e të sigurojnë banesat e tyre. Mijëra vetë po jetojnë ende në tenda pas tërmetit katastrofik të vitit 2010.
 
Autoritetet kërkuan evakuimin e rreth 150 mijë personave, shtëpitë e të cilëve kërcënohen nga përmbytjet. 1300 vendstrehime të përkohshme janë ndërtuar për të përballuar emergjencën dhe të dyja aeroportet e vendit janë mbyllur. ]
 
Të paktën 13 mijë persona u evakuuan nga zonat e rrezikuara edhe në Republikën dominikane fqinje. Moti ekstrem ka goditur edhe pjesë të Xhamajkës me përmbytje të rënda, që kanë bllokuar rrugët e kryeqytetit Kingston.
 
“Matthew” pritet të godasë edhe Kubën lindore, ku është ngritur alarmi për 6 rajone dhe banorët po zhvendosen në zona më të ngritura.
 
LEUNORA KALIQI