Botë
Kriza e refugjatëve, “Amnesty International”: Vendet e pasura nuk po marrin përgjegjësi
04.10.2016 14:27
“Amnesty International” ka akuzuar vendet e pasura se nuk po tregojnë aspak lidership në krizën e refugjatëve...

Raporti vjetor, i publikuar sot, tregon se 56% e refugjatëve po strehohen vetëm nga 10 vende, ndër më të varfrit në botë, përgjegjëse për më pak se 2.5% të GDP botërore.
“Ironia e situatës është se 10 vende që gjenden në afërsi të vendeve nga vijnë refugjatët po strehojnë më shumë se 56% të tyre. Vendet më të pasura të botës, që mund të strehojnë më shumë, thuajse nuk po bëjnë gjë. Mbretëria e Bashkuar që nga viti 2011 ka pranuar vetëm 8.000 refugjatë, ndërsa Jordania 10 herë më i vogël se Mbretëria e Bashkuar ka 655 mijë refugjatë sirianë”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i “Amnesty International”, Salil Shetty.
Raporti propozon që barra e strehimit të refugjatëve të ndahet në mënyrë të drejtë, sipas madhësisë së vendit, pasurisë dhe popullatës aktuale.
“Liderët na kanë zhgënjyer, tashmë duhet të kemi një plan B. Ka nevojë për një sistem të ri të ndarjes së përgjegjësisë globale. Nga 200 vende në botë, nuk mund të presim që 10 prej tyre të përballojnë më shumë se 50% të përgjegjësisë”,- tha sekretari i përgjithshëm i “Amnesty International”, Salil Shetty.
Kina, Rusia ose ndonjë nga shtetet e Gjirit nuk kanë strehuar refugjatë sirianë që prej fillimit të luftës. Gjermania dhe Kanadaja janë shembuj të mirë të liderëve të cilët zbatojnë premtimet e tyre.
Agjencia e refugjatëve të OKB-së deklaroi se numri i personave të zhvendosur në botë ka gjasa të ketë kaluar rekordin e vitit të kaluar, plot 60 milionë, duke përfshirë 20 milionë refugjatë, të shpërngulur për shkak të luftës në Siri dhe konflikteve të tejzgjatura.
GAZMNED KURTISHI
