Maqedoni
Rasti “Lagja e trimave”, vazhdon keqtrajtimi i të akuzuarve
04.10.2016 15:29
Ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin “Lagja e trimave”, por edhe në këtë seancë të akuzuarit, Elham Arifi dhe Enver Hoxha–Klein...

Ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin “Lagja e trimave”, por edhe në këtë seancë të akuzuarit, Elham Arifi dhe Enver Hoxha–Klein, janë ankuar për keqtrajtim nga njësiti special gjatë transportit deri në gjykatë.
Avokati mbrojtës i Enver Hoxhës, Shasivar Iseni, pohon se: “i akuzuari, Enver Hoxha, është keqtrajtuar gjatë rrugës nga njësiti special, veç kësaj kundër tij janë përdorur edhe fjalë fyese. Hoxha ka dëgjuar policët duke thënë që të fshihet kamera për të mos u parë dhuna”.
Pas njoftimit të avokatit edhe vet Enver Hoxha pohoi se është keqtrajtuar rrugës dhe se ia kanë përplasur kokën me të akuzuarin tjetër, Musadik Pajaziti. Por, gjykatësja, Verka Petrovska, kërkoi nga i akuzuari Hoxha që kur të kthehet në burg t’i drejtohet mjekut të burgut që të konstatojë lëndimet dhe më pas ta sjellë në gjykatë raportin nga mjeku. I akuzuari tjetër, Elham Arifi, deklaroi se është përplasur në tokë nga pjesëtari i njësisë speciale dhe i është thënë se do të dënohet me 16 vite burg.
“U ankuan se gjatë transportit u ushtrohet dhunë permanente, maltretim, që zakonisht gjykata kërkon që të dëshmojmë se a ka hematoma, por ato janë dhunë fizike, psikike, ofendime dhe zgjasin përafërsisht një orë. Për këtë e njoftuam edhe trupin gjykues dhe pas përfundimit të seancës do t’i ndërmarrim të gjitha masat në bazë të kompetencave që i kemi”,- tha avokatja, Ajtene Ademi- Iseini.
Në seancë u bë edhe publikimi i provave materiale nga ana e Prokurorisë Publike, ku nëpërmjet fotove dhe video-materialeve u tregua vendi se ku janë gjetur armët, të cilat paraprakisht, sipas tyre, i ka fshehur “Grupi Kumanova”. Në fotot dhe video-materialet e PP-së shihet se si Sulejman Osmani, njëri prej të akuzuarve, i shoqëruar nga policia, zbulon vendin se ku janë fshehur armët.
“Sulejmani nuk bashkëngjitet me këtë grup, sipas arsyes së gjyqit është se nuk ka kohë, intervali kohorë se lejon këtë, sepse duhen të gjitha provat të përsëriten në rast se hyn në grupin që tani gjykohet. Kjo lëndë do të ndahet, por unë si avokat i Sulejmanit do të kërkoj që lëndët të bashkohen”,- tha avokati, Naser Raufi.
Sipas avokatit Raufi, seanca e vaçantë për të akuzuarin, Sulejman Osmani, pritet të fillojë diku për dy javë.
SANIJE DURAKU
