Disbalanci në njësitë zgjedhore, Haliti: Çështjen ta zgjidhin liderët; Aliu: Përgatiten ndryshime në dëm të shqiptarëve

04.10.2016 17:28

Deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti, ka ftuar liderët e katër partive më të mëdha...

Deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti, ka ftuar liderët e katër partive më të mëdha politike në një takim të përbashkët, me qëllim që të harmonizojnë qëndrimet e tyre lidhur me balancimin e numrit të votuesve përpara se të shpërndahet Kuvendi.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyre mund të tejkalohet ky problem, pasi që nuk sheh vullnet që kjo çështje të zgjidhet nga vetë deputetët.

“Unë mendoj se duhet të ketë takim liderësh që të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor. Them takim liderësh, ku pikë e veçantë do të ishte balancimi i njësive zgjedhore, pasi 30 mijë votuesit janë votues aktiv në Maqedoni dhe askush nuk e ka të drejtën t’i llogarisë si votues të fshirë nga regjistri i zgjedhjeve”,- tha deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti.

Ndërkohë, nga PDSh kanë akuzuar partitë në pushtet se po përgatisin ndryshime në Kodin zgjedhor dhe pa konsensus midis subjekteve politike do të kalojnë disa votues nga njësia e gjashtë në njësinë e pestë zgjedhore, që sërish, sipas tyre, dallimi do të mbetej prej 25 mijë votuesish.

“Koalicioni qeverisës po përgatit një propozim ndryshim të Kodit zgjedhor që do ta kalojë pa konsensus dhe me të cilin edhe një herë vota shqiptare do të masakrohet si deri tani përmes asaj që disa mijëra votues nga njësia zgjedhore numër 6 do të barten në njësinë zgjedhore numër 5 dhe dallimi që është tani 30 mijë do të jetë 25 mijë. Pra, problemi do të vazhdojë dhe vota e shqiptarëve do të vazhdojë të ketë më pak peshë se e maqedonasve”,- theksoi deputeti i PDSh-së, Ymer Aliu.

Aktualisht, njësia e gjashtë zgjedhore ka plus 5.28 për qind votues më shumë se mesatarja, ndërsa njësia e tretë dhe e katërt kanë mbi 4 për qind më pak se mesatarja.

Me këtë dallim, njësia e gjashtë ka 30 mijë votues më shumë se njësia e tretë dhe e katërt. Kuvendi formoi një grup të veçantë pune për të zgjidhur këtë çështje, por nuk dha rezultate në këtë drejtim. (Naim Ramadani, TVM2)