Kuvend, pr/ligji për PPS-në dhe dëshmitarët, nuk kalon
Shumica parlamentare hodhi poshtë dy projekt-ligjet e opozitës maqedonase...

Shumica parlamentare hodhi poshtë dy projekt-ligjet e opozitës maqedonase, përkatësisht pr/ligjin për PPS-në dhe atë për mbrojtje të dëshmitarëve.
VMRO-DPMNE nuk lejoi futjen e ligjeve në rend dite, ndërkaq shumë nga deputetet e BDI-së nuk votuan. Sipas opozitës maqedonase, me këtë veprim shumica parlamentare është vënë në anën e krimit.
“Me votimin e sotëm, deputetët e VMRO-DPMNE-së edhe zyrtarisht u bënë mbulesë e ndihmës së krimit që e ndjek Prokuroria Speciale. Votimi “alibi” i BDI-së edhe këtë parti politike e vendos në të njëjtën kategori me VMRO-DPMNE-në”,- tha Petar Shilegov nga LSDM.
VMRO nuk do të shqyrtojë asnjë kërkesë të PPS-së, thotë koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie, Ilija Dimovski. Sipas tij, PPS është konsoliduar sipas Marrëveshjes së Përzhinës dhe bisedimet politike për këtë çështje janë mbyllur.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni për Maqedoni më të mirë mbet në qëndrimet që prezantoi javën e kaluar sa u përket kërkesave që vijnë nga PPS-ja dhe ajo është se nuk do të pranojë asnjë shqyrtim të çfarë do qoftë kërkese nga PPS-ja për disa arsye”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Dhe përderisa VMRO-DPMNE thotë se nuk do të shqyrtojë asnjë kërkesë të PPS-së, partneri shqiptar në koalicionin qeveritar kërkon që nisma për ndryshimin e dy ligjeve në fjalë të vijë pikërisht nga ky institucion dhe jo nga partitë politike.
“Iniciativa duhet të vijë nga PPS-ja, jo nga partitë politike brenda Kuvendit. Dhe, gjithsesi se ne ngelim në atë qëndrim se me gjuhën e argumenteve që do të ofrojë PPS-ja ne do të përkrahim propozimet e tyre”,- u shpreh Rafiz Haliti nga BDI.
Me pr/ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për PPS-në opozita maqedonase propozonte ndërprerjen e afatit 18 mujor të paraparë për ngritjen e akuzës, pasi konsideronte se ky afat është i pamjaftueshëm.
Në pako me Ligjin për PPS-në, opozita propozoi edhe pr/ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, me të cilin pretendohej të rregullohet kompetenca e PPS-së në procedurën për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Këto pr/ligje u propozuan nga opozita pas kërkesës publike të prokurores speciale, Katica Janeva, e cila gjatë raportimit në Kuvend tha se koha e paraparë me ligjin në fuqi është e pamjaftueshme dhe duhet të zgjatet, ndërsa kërkoi edhe ndryshimin e Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, pasi, siç tha, shumë dëshmitarë të PPS-së kanë frikë të japin dëshminë, pasi nuk janë të mbrojtur. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
