Botë

Zëvendëspresidentët - Debati/Kaine: Trump ‘manjak bërthamor’; Pence: Hillary e dobët!

05.10.2016 10:48

Një debat mjaft i ashpër ka qënë ai mes dy zv/Presidentëve potencialë në Shteteve të Bashkuara..

Një debat mjaft i ashpër ka qënë ai mes dy zv/Presidentëve potencialë në Shteteve të Bashkuara, Mike Pence dhe Tim Kaine, teksa në diskutim është folur për gjithçka, duke filluar nga aborti e duke përfunduar tek Rusia, ku madje nuk kanë munguar as fjalë të ndryshme si budalla, maniak bërthamor, e dobët dhe e pavlerë. Dy përzgjedhjet e rivalëve Trump e Clinton janë munduar që të ndryshojnë balancat elektorale në debatin që zhvilluan në Virxhinia.
 
Deklarata që tërhoqi më shumë vëmendje ishte padyshim ajo e demokratit Kaine, i cili u shpreh se Donald Trump në krye të vendit është një ide mjaft e rrezikshme.
 
Përzgjedhja e Klinton për postin e zv. Presidentit u shpreh se Trump mund të kthehet në një manjak bërthamor, duke rikthyer në memorie një deklaratë të ish-Presidentit Ronald Regan.
 
“Ronald Regan ka thënë diçka me të vërtetë interesante për shtimin e prodhimit të bombave bërthamore në vitet 80′. Ai u shpreh se bomba bërthamore në duart e një maniaku mund të shkaktojë evente katastrofike. Unë mendoj se Trump është ekzaktësisht personi për të cilin na ka paralajmëruar Presidenti Regan. Dhe të mos harrojmë qëndrimin e tij me Rusinë. Trump prej kohësh po vijon të duartrokasë punën e bërë nga Presidenti Vladimir Putin.”
 
Nga ana tjetër, guvernatori Mike Pence përdori edhe njëherë retorikën e Trump për të hedhur akuza në drejtim të Hillary Clinton, duke e quajtur këtë të fundit të paaftë, të paefektshme si dhe përgjegjëse për dobësimin e influencës së Shteteve të Bashkuara në botë.
 
Më tej, Pence mbrojti republikanin Trump edhe sa i përket çështjes së taksave.
 
Gjatë debatit, ai u shpreh se miliarderi kontrovers nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka përfituar nga ligjet e vendit, të cilat janë hartuar për të mbështetur sipërmarrësit.
 
Një tjetër, deklaratë e fortë e bërë nga guvernatori Mike Pence ishte në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme.
 
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë të përdorin forcën ushtarake për të goditur qeverinë siriane, në rast se Rusia do të vijojë të mbështesë Presidentin Bashar al-Assad në luftën kundër rebelëve.
 
Ekspertët dhe analistët amerikanë vlerësuan në këtë përballje performancën e republikanit Mike Pense, duke thënë se ai i ka dhënë një fillim të freskët fushatës së Trump.
 
Sipas një sondazhi të realizuar nga CNN, 48% e qytetarëve shpallën fitues pikërisht Guvernatorin e Indianës, ndërkohë që 42% mendojnë se Tim Kaine bëri një paraqitje më të mirë.