Botë

Kolumbi, armëpushimi përfundon në 31 tetor

05.10.2016 11:54

Negociatorët e qeverisë së Kolumbisë dhe rebelëve të FARC-it do të kenë afat për të firmosur një marrëveshje deri në fund të muajit...

Negociatorët e qeverisë së Kolumbisë dhe rebelëve të FARC-it do të kenë afat për të firmosur një marrëveshje deri në fund të muajit, pasi më datën 31 tetor përfundon afati i armëpushimit dhe përplasjet e armatosura mund të rinisin sërish.
 
Presidenti i vendit, Juan Manuel Santos, edhe inkurajoi palët që të shfaqin vullnet për të bashkëpunuar, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit që vijon prej më shumë se 50 vitesh.
 
Më herët, kreu i shtetit dhe i qeverisë ngriti një ekip negociator, i cili aktualisht ndodhet në Kuba dhe po negocion me përfaqësuesit e rebelëve.  
 
Marrëveshja e parë pati kundërshtime të ashpra nga më shumë se gjysma e popullsisë për shkak të disa pikave mjaft të debatuara. Në rast se akordi i parë do të ratifikohej me një votë pro në referendum, rebelëve do t’u amnistoheshin krimet që mund të kenë kryer gjatë përplasjeve të armatosura.
 
Gjithashtu, atyre do t’iu garantosheshin vende në Kongresin e Kolumbisë, veprim që shihej si anti-demokratik nga një pjesë e konsiderueshme e opinionit.
 
Për këtë arsye, ish-presidenti, Alvaro Uribe, i cili drejtoi edhe fushatën kundër ratifikimit të marrëveshjes, u shpreh se nuk do t’a përkrahë marrëveshjen e paqes nëse do të ketë ndryshime.
 
Aktualisht negociatorët po shqyrtojnë çdo mundësi për të arritur një marrëveshje të dytë, me shpresën se ajo do të mbështetet nga elektorati.
 
Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më dy prej pikave më të kritikuara. Në fjalën e tij, kreu i rebelëve, Tomoleon Jimenez, është shprehur se grupimi FARC mbetet i hapur për të negociuar paqen.
 
GAZMEND KURTISHI