Maqedoni
Pas rrëzimit të kërkesave të PSP-së, reagojnë Ambasada e ShBA-së, Holandës dhe BE-së
05.10.2016 12:21
Pas rrëzimit të kërkesave të Prokurorisë Speciale Publike për zgjatjen e afatit dhe Ligjin e dëshmitarëve të mbrojtur reagojnë edhe ambasadat...

Ambasada amerikane i konsideron si të arsyeshme kërkesat e Prokurorisë Speciale për ndryshimin e Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur dhe për vazhdimin e afatit të hetimeve.
“I inkurajojmë të gjitha partitë që t’u përmbahen obligimeve që i kanë marrë përsipër me marrëveshjet e Përzhinës dhe atë të 20 korrikut për të siguruar zgjedhje të besueshme dhe punë të papenguar të Prokurorisë Speciale Publike dhe të vëzhguesve të pavarur të mediave”,- thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane në Shkup.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shkup ka reaguar, duke e përsëritur qëndrimin e saj, gjegjësisht u ka bërë thirrje nënshkruesve të Marrëveshjes së Përzhinës që t’i përmbahen marrëveshjes dhe ta përkrahin PSP-në.
“Për rolin e PSP-së u morën vesh të gjitha partitë, si pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Të gjitha partitë disa herë kanë qenë të angazhuara që ta përkrahin punën e PSP-së. BE i inkurajon të gjitha veprimet në përputhje të detyrimeve dhe e thekson rëndësinë e përgjegjësisë”,- thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së në Shkup.
Ndërkohë edhe Ambasada e Holandës mbështet punën e Prokurorisë Speciale dhe kërkesat e tyre për ndryshime ligjore që do të kontribuojnë në avancimin e angazhimit të tyre.
“Vendosja e llogaridhënies për përgjimet e paautorizuara dhe dyshimet për keqpërdorim qeveritar janë thelbësore që Maqedonia të mund të dalë nga kriza e vazhdueshme. Besojmë se janë të arsyeshme kërkesat e Prokurorisë Speciale për mbështetjen e hetimit rrënjësor, të pavarur të fakteve”,- thuhet në kumtesën e Ambasadës holandeze në Shkup.
