Maqedoni

Gjunjëzohet Haiti, dëme të mëdha nga uragani “Matthew”

05.10.2016 12:45

Uragani më i fuqishëm i Karaibeve në gati një dekadë, shkaktoi dëme të mëdha në Haiti, ku solli erëra deri në 230 km në orë, reshje të dendura dhe përmbytje...

“Matthew”, një stuhi e kategorisë së katërt, shkaktoi të paktën dy të vdekur në Haiti dhe katër të tjerë në Republikën domenikane.
 
Zona më e goditur ishte ajo në jug të ishullit, e cila u izolua pas shembjes së një ure që e lidh atë me kryeqytetin Port o Prince.
 
Në qytetin Por te Les Cayes gjendja është cilësuar si katastrofike. Qyteti me 70 mijë banorë u përmbyt dhe shumë banesa kishin humbur çatitë e tyre.
 
Shumë njerëz në këtë zonë po kërkojnë ndihmë, por siç thuhet evakuimi i tyre është i pamundur. Banorët tregojnë se si një nga fqinjët iu vdiq para syve.
 
“Ne erdhëm të ndihmojmë, por nuk i kemi kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar lloje të tilla shpëtimi. Ne vendosëm të largohemi, sepse po vinim edhe jetën tonë në rrezik. Nuk arritëm ta shpëtojmë dot”,- tha kryetari i Komunës Santo Domingos, Dagoberto Betances. 
 
“Ai ishte baba i pesë fëmijëve dhe na kërkoi ndihmë. Ishte ushtarak në pension, është përballur sa herë me vdekjen, por shikoni se si vdiq nga një zemërim i natyrës”,- theksoi banori lokal, Robert Royes.
 
Sipas OKB-së, Haiti po përballet me ngjarjen më të rëndë humanitare që prej tërmetit katastrofik të vitit 2010. Të paktën 10 mijë persona po qëndrojnë në vendstrehime të përkohshme dhe ka raportime për mbipopullime të spitaleve dhe mungesë të ujit të pijshëm.
 
UNICEF ngre alarmin se 4 milionë fëmijë mund të jenë ekspozuar ndaj dëmeve të uraganit dhe se rreziku i përhapjes së sëmundjeve është i lartë.
 
LEUNORA KALIQI