Maqedoni
Prokuroria Speciale, debat i ashpër në “Argument” në TVM2
05.10.2016 14:26
Puna dhe funksionimi i mëtejmë i Prokurorisë Speciale Publike pas refuzimit të iniciativave për vazhdim të mandatit...

Puna dhe funksionimi i mëtejmë i Prokurorisë Speciale Publike pas refuzimit të iniciativave për vazhdim të mandatit dhe ndryshimet në Ligjin për mbrojtje të dëshmitarëve, nxiti debat të ashpër në emisionin “Argument” në TVM2.
Përderisa deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, mbronte tezën se nuk ka pasur nevojë për miratimin e kërkesave të Katica Janevës, ai u kundërshtua ashpër nga eksperti juridik, Osman Kadriu, dhe avokati, Bujar Dardhishta. Sipas deputetit Xhaferi, kohëzgjatja e veprimit të Janevës është parashikuar në Marrëveshjen e Përzhinës, ndërkaq mbrojtja e dëshmitarëve me Ligjin e 2005-ës.
“Ja ku është propozimi, edhe njëherë më thoni se çka ndryshon në procedurat e parapara me ligj, sepse edhe ky ndryshimi i sotëm nënkupton zbatimin e procedurave të parapara me Ligjin prej 2005-ës dhe që zbatohet nga një janari i 2006-ës. D.m.th. në aspekt të procedurave nuk ndryshon asgjë”,- deklaroi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
Avokati Dardhishta pohoi se nevoja e mbrojtjes së dëshmitarëve nga vetë Janeva për të hapur rastet në interes të shqiptarëve, “Monstra” dhe “Sopoti”, ka lindur pas rastit “Kosta Kërpaç”. Dardhishta thotë se 18 muaj janë pak për t’u zbardhur e gjitha lëndët.
“Pasi ndodhi rasti “Kosta Kërpaç”, vetëm më është elektrizuar opinioni se dëshmitarët e ardhshëm, të cilët mund të jenë bashkëpunëtorë të PSP-së, mund të jenë edhe të rrezikuar. Vetëm për zyrat në aspekt tekniko-administrativ, PSP-së iu deshën gjashtë muaj për të zënë vend dhe të furnizohet me material teknik, gjashtë muaj janë humbur, aty ka humbur PSP. Për atë arsye duhet të shtyhet ky afat dhe realisht dy propozim ligjet nuk ishin propozim ligje politike, por juridike”,- theksoi avokati, Bujar Dardhishta.
Eksperti juridik, Osman Kadriu, akuzon pushtetin për obstruksione, ndërkaq parlamentin për papërgjegjshmëri.
MERAL ISMAILI
