Maqedoni

VMRO-DPMNE mbajti tubim në Gjevgjeli

16.04.2014 18:04

Lideri i VMRO-DPMNE-së ka falënderuar nga Gjevgjelia të gjithë ata që me 13 prill votuan koalicionin Për Maqedoni më të Mirë...

Lideri i VMRO-DPMNE-së ka falënderuar nga Gjevgjelia të gjithë ata që me 13 prill votuan koalicionin Për Maqedoni më të Mirë.
 
Edhe në tubim në këtë qytet, Gruevski është përqendruar në tre pika kryesore, projektet e platformës së VMRO-DPMNE-së, kundërshtarit të drejtpërdrejtë politik në bllokun maqedonas, LSDM-së, si dhe kërkesën për marrjen e 62 mandateve të deputetëve, që sipas tij, janë të nevojshme që shumica e re qeveritare të mos kërcënohet më nga partitë shqiptare, me kërkesa që kreu i VMRO-DPMNE-së i quajti radikale.
 
“Ju ftoj që më 27 prill t’i koncentroni votat tuaja në garniturën politike, të cilës i mungojnë fare pak vota që të ketë 62 deputet në Parlament, në mënyrë që të mos jemi më të kushtëzuar. Apeloj edhe ata që të dielën abstenuan, t’i japin votat e tyre për ne, që të mos iu lejojmë të na kushtëzojnë edhe një herë  me kërkesa radikale”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Sipas Gruevskit, qytetarët e kanë kuptuar se VMRO-ja atë që thotë edhe e realizon, janë 2046 projekte të reja që do të thotë 62 mijë punësime të reja, tha Gruevski, duke pyetur qytetarët se ç’farë iu ka premtuar dhe ç’farë ka realizuar për ta LSDM-ja. 
 
“Ç’farë premton LSDM? Asgjë konkrete. Asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e Branko Cervenkovskit, përveç ngjyrës. Në vend të pranonin humbjen, Zaev hodhi poshtë vullnetin e popullit. Si mendon të merr vota kur përbuz popullin e tij. Vetëm thotë do t’ua kthej buzëqeshjen”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski potencoi se Qeveria në kohë krize arriti të ulë papunësinë nga 38 në 28 %.  Me programin e ri papunësia do të ulet nga 28 në 22%, premtoi Gruevski në Gjevgjeli, duke potencuar ndërtimin e shkollave të reja, uljen e TVSH-së për bujqit dhe subvencione të reja për ta, projekte për vetëpunësimin e të rinjve deri në 29 vjeç, kredi deri në 7 mijë euro me kamatë 1 % dhe 18 muaj grejs-periudhë për biznesmenët e rinj deri në 29 vjeç. Gjithashtu Gruevski paralajmëroi edhe investime të reja nga tre firma, një amerikane, një gjermane dhe një italiane. 
 
Bartësi i listës së VMRO-DPMNE-së në njësinë e katër zgjedhore, Zoran Stavrevski, potencoi në Gjevgjeli projektet e parashikuara për t’u realizuar. Sipas tij, një firmë greke ka paralajmëruar investim prej gjashtë milion euro për një fabrikë të re.
 
“Tre janë projektet konkrete, 20 milion euro do të investohen në pendën e Konskos, 1.2 milion euro për furnizim me ujë të pijshëm dhe 700 mijë euro për ndërtimin e gjimnazit të ri”, theksoi bartësi i listës së deputetëve në njësinë zgjedhore katër i VMRO-DPMNE-së, Zoran Stavrevski.
 
Në krizën më të madhe Qeveria hapi 120 mijë vende të reja pune. Edhe në programin e ri qeveritar janë paraparë projekte të realizueshme, mes të cilave shlyerja e menjëhershme e borxheve për kategoritë e rrezikuara sociale, potencoi Stavrevski.
 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU