Ekonomi

10 vjet “Marrëveshja e CEFTA-s”

05.10.2016 15:25

Shënohet dhjetë vjetori i nënshkrimit të marrëveshjes së vendeve të Ballkanit perëndimor për tregti të lirë, CEFTA...

Autoritetet thonë se përmirësimi i bashkëpunimit rajonal kontribuon në rritjen e cilësisë për të konkurruar në vendet europiane.
 
Sipas tyre, po bëhen përpjekjet maksimale për tejkalimin e problemeve me Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë që u aktualizuan së fundmi me ndalesën e prodhimeve të caktuara. 
 
“Nuk mendoj se ka një bashkëpunim të keq ekonomik edhe njëherë bëjmë përpjekje të përmirësojmë bashkëpunim tregtar mes vendeve të rajonit. Kërkova nga të gjitha institucionet përkatëse të respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s dhe të gjitha produktet bujqësore që u ndaluan, brenda 24 orëve u liruan”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
 
“Bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit rrit konkurrencën ekonomike të vendit tonë dhe përgatitet për t’u përballur me presionin e konkurrencës në kuadër të Bashkimit Europian. Pjesëmarrja jonë aktive në trupat e CEFTA-s është në përputhje me prioritetet strategjike të qeverisë së Maqedonisë për anëtarësim në BE, rritje dinamike ekonomike dhe rritje të standardit jetësor”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Arbër Ademi.
 
Ekspertët përkujtojnë se shkëmbimi tregtar është zvogëluar, por kjo ka ardhur si pasojë e krizës në vetë Bashkimin Europian. Gjithsesi, në shtatë muajt e parë të këtij viti vërehet rritje e eksportit me vendet nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-s.
 
“Në vitet e para nga funksionimi i marrëveshjes së CEFTA-s, Maqedonia ka pasur rezultate shumë të favorshme dhe intensiteti i tregtisë së mallrave me vendet e rajonit kishte rritje. Por, pas krizës që goditi Bashkimin Europian, përfshirë periudhën e vitit 2010 deri 2011, shkëmbimi tregtar në kuadër të rajonit bindshëm është zvogëluar në 11% nga shkëmbimi i përgjithshëm tregtar. Në krahasim me vitin 2008, shkëmbimi i mallrave ishte 28%”,- theksoi profesoresha e Ekonomisë, Irena Kikerkova.
 
Në 2015-tën, Maqedonia ka realizuar eksport të mallrave për 81 për qind me vendet e Bashkimit Europian dhe 12 për qind me vendet Ballkanit Perëndimor, në pjesën e importit 63 për qind janë realizuar nga Bashkimi Europian, ndërsa 10% me rajonin. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ