Basha “sulm” ambasadorit Lu: Mos na trego si të veprojmë në PD
Një ditë para miratimit të paketës ligjore të reformës në drejtësi....

Një ditë para miratimit të paketës ligjore të reformës në drejtësi, mësohet se opozita do të votojë pro vetëm për njërin nga shtatë ligjet.
Bëhet fjalë për Ligjin që parashikon ngritjen e një strukture të posaçme anti-korrupsion, për të cilin kanë këmbëngulur aq shumë ndërkombëtarë.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur me gjuhë të ashpër në drejtim të ambasadorit amerikan, i cili e ka këshilluar Bashën që Ligji i reformës në drejtësi të mos ankimohej. Basha tha se asnjë nuk mund t’ia tregojë atij detyrën e PD-së.
“Vettingun e kemi çuar në Kushtetuese dhe presim një vendim të drejtë të Kushtetueses në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, që është e qartë dhe në përputhje me Venecian, që është e qartë. Por, kjo kurrsesi nuk mund të na bëjë pjesë të lojës së Edi Ramës për të shtyrë pafundësisht krijimin e strukturës që lufton korrupsionin, sepse kjo është loja. Të mbarojë mandati pa nisur hetimet e peshqve të mëdhenj, e alkaponeve në qeveri e kumbarëve të drogës në qeveri dhe kumbarëve të korrupsionit. Nesër ligji kalon me votat tona. Unë nuk pres nga asnjë ambasador të më tregojë se cila është detyra kushtetuese e PD-së, e opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam detyrën time dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë”,- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ambasadori amerikan, Donald Lu,ka kërkuar që Vettingu të mos dërgohej në Kushtetuese. Sipas tij, kjo do të sillte vonesa në zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa ka theksuar se PD rrezikon të cilësohet si forcë politike që nuk do reformën. (Luljeta Ndoka, TVM2)
