Seli e përhershme e FMUB-së, gjashtë ushtri ballkanike me projekt dedikuar civilëve
Pjesëtarë nga armatat e gjashtë vendeve të Ballkanit...

Pjesëtarë nga armatat e gjashtë vendeve të Ballkanit, të Maqedonisë, Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Sllovenisë, si dhe me mbështetje të Norvegjisë dhe ShBA-së, do të përbëjnë selinë e përhershme të Forcave Mjekësore Ballkanike, e cila u hap sot në Kazermën Ilinden në Shkup.
Ky projekt i rëndësishëm rajonal ka për qëllim të ndërtojë kapacitete mjekësore rajonale, të cilat do të jenë të afta të japin përgjigje të shpejtë në spektër të gjerë gjatë krizave, siç janë katastrofat natyrore.
“Projekti është në frymën e konceptit “mbrojtje e mençur” të NATO-s, ndërsa do t’i përmirësojë kapacitetet mjekësore për punë në mjedisin rajonal multinacional, si dhe do të krijohet organizatë e vogël mobile dhe e shpejtë e cila kudo dhe gjithmonë do të jetë atje ku u nevojitet qytetarëve”,- deklaroi ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Zoran Jolevski.
“Ky projekt është ushtarak, por është i mirë, pasi që u dedikohet civilëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë gjatë katastrofave eventuale natyrore”,- tha ministrja e Mbrojtjes e BH-së, Marina Pendesh.
“Këto forca do t’i rrisin kapacitetet në rajon, por edhe kapacitetet nacionale për operacione të përbashkëta në kuadër të BE-së, KB-së dhe jashtë rajonit”,- theksoi ambasadori i Norvegjisë, Arne Sanes Bjornstad.
“Ky njësit nuk është njësit i rëndomtë ushtarak, por është njësit multinacional unik sipas standardeve të NATO-s dhe është shembull konkret për bashkëpunim rajonal”,- u shpreh përfaqësuesi i Pentagonit- ShBA, Kevin Hill.
Në hapjen e këtij projekti morën pjesë ministrat e mbrojtjes të Bosnjë e Hercegovinës, Sllovenisë dhe Serbisë. (Besim Abdullai, TVM2)
