Komisioni për financa dhe buxhet, vazhdojnë mospajtimet rreth buxhetit për 2017-tën
Në Komisionin për financa dhe buxhet ka filluar shqyrtimi i amendamenteve...

Në Komisionin për financa dhe buxhet ka filluar shqyrtimi i amendamenteve të parashtruara nga opozita lidhur me planifikimet e buxhetit për vitin 2017.
LSDM-ja opozitare ka kërkuar 1 miliardë denarë në formë donacioni për të gjitha shkollat e mesme, me arsyetimin se gjendja në shkollat e mesme është alarmante, duke filluar nga mungesa e kushteve elementare dhe mbytja e tyre në borxhe.
“Paramendoni, të nderuar kolegë në shekullin XXI, nxënësit në qytetin tim, por edhe në të gjithë Maqedoninë janë të detyruar që të mësojnë nëpër shkolla nëpër të cilat mësimin mund ta vijojnë vetëm kur është ditë, sepse në orët e vona nuk ka rrymë, ndërkaq gjatë muajve të dimrit mësimin e zhvillojnë me orë të shkurtuara, sepse nuk ka ngrohje. Shkollat janë të mbytura në borxhe”,- deklaroi Biljana Nasteska nga LSDM.
Amendamenti nuk ka gjetur përkrahjen e Ministrisë së Financave, ndërsa deputeti i VMRO-DPMNE-së apeloi që pushteti lokal të kërkojë alternativë për ngrohje në mënyrë që të kursejnë në buxhet.
“Besoj se edhe ne si pozitë dhe ju si opozitë dhe të gjithë qytetarët duan që shkollat dhe nxënësit të kenë kushte të mira për punë. Rreth ngrohjes, unë si kryetar komune, e kisha të qartë se nuk kam mjete të mjaftueshme dhe se nafta në atë kohë arriti në 80-90 denarë, por unë bëra një projekt për ta ndërruar ngrohjen me peleta. Ai projekt ekziston si mënyrë për t’i kursyer paratë dhe të kemi ngrohje të mirë për më pak para. Dhe kjo është mirë që ta bëjmë në nivel shteti”,- tha Bllagoja Despotoski nga VMRO-DPMNE.
Buxheti është përpunuar në bazë të projeksionit për rritjen e ekonomisë prej 3 për qind, ndërsa inflacioni të mbetet në nivel prej 1 për qind. Për projekt-buxhetin e vitit 2017, në Komisionin për financa dhe buxhet opozita ka dorëzuar gjithsej 422 amendamente, 250 janë dorëzuar nga PDSh, ndërsa 172 janë nga LSDM. (Naim Ramadani, TVM2)
