Maqedoni
PPD zhvilloi aktivitete parazgjedhore në Pirok
16.04.2014 18:11
Bartësi i listës së Partisë për Prosperitet Demokratik në njësinë zgjedhore numër 6, Muhamed Halili...

Bartësi i listës së Partisë për Prosperitet Demokratik në njësinë zgjedhore numër 6, Muhamed Halili dhe kandidatët e tjerë për deputet nga kjo parti, mbrëmë janë takuar me banorët e fshatit Pirok të Tetovës.
Halili para të pranishmëve theksoi se koncepti i PPD-së është drejtuar nga e ardhmja e vendit te të rinjtë.
Çdo i ri duhet ta ushtrojë profesionin e tij për të cilin edhe është kualifikuar. Nga PPD theksojnë se duhet t’i kushtohet vëmendje më të madhe zhvillimit ekonomik të rajoneve me popullatë shumicë shqiptare në përgjithësi, si dhe rajoneve të lëna jashtë përkujdesjes së shtetit, sepse Drejtoria për Zona të Lira Ekonomike të gjitha investimet i drejton në viset maqedonase, duke harruar fare zonat e banuara me shumicë shqiptare.
Halili gjithashtu theksoi se Partia për Prosperitet Demokratik do të bëjë ndryshime në sistemin arsimor, duke filluar nga ai fillor deri në atë sipëror, ku rritja e cilësisë së arsimit do të jetë detyrë parësore. Nga PPD kanë analizuar edhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në 12 vitet e kaluara, duke vlerësuar se shumë pak është punuar në këtë drejtim.
REJHANE BUSHI-METAJ
