Han, më 14 tetor do ta vizitojë Shkupin

06.10.2016 12:40

Eurokomisari, Johanes Han, më 14 tetor do ta vizitojë Maqedoninë....

Eurokomisari, Johanes Han, më 14 tetor do ta vizitojë Maqedoninë.

Gjatë vizitës së tij në Shkup janë paraparë takime me zyrtarët shtetërorë dhe politik me qëllim të diskutimit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor dhe implementimin e prioriteteve urgjente reformuese, konfirmoi zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç.

“Mund të konfirmoj se komisari Han do të udhëtojë në Shkup të premten e ardhshme, më 14 tetor. Gjatë kësaj vizite, ai do të takohet me përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike në vend, me prokuroren speciale dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Qëllimi  i misionit do të jetë diskutimi për gjendjen në vend, posaçërisht për organizimin e zgjedhjeve në dhjetor, si dhe zbatimin e prioriteteve urgjente reformuese”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.

Si garantues i Marrëveshjes së Përzhinës, komisari Han vjen në Maqedoni që të shohë se sa respektohet marrëveshja dhe të bindet se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 11 dhjetor, me çka do të merrte fund kriza politike në Maqedoni.  (Gyltene Sinani, TVM2)