Rasti “Lagjja e trimave”, sot mbahet seanca me dyer të hapura

06.10.2016 13:18

Vazhdon gjykimi me dyer të hapura i 37 të akuzuarve në rastin “Lagjja e trimave”...

Vazhdon gjykimi me dyer të hapura i 37 të akuzuarve në rastin “Lagjja e trimave”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë.

Gjykimi do të vazhdojë në sallën e madhe të Gjykatës Supreme me procedurë dëshmuese.

Kjo është seanca e dytë e hapur pas dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtur. Ndërkohë, në seancën e kaluar të akuzuarit në rastin “Lagja e trimave” janë maltretuar nga ana e forcave policore gjatë transportit të tyre për në gjykatë.

Avokatja, Artene Ademi, tha se gjatë transportimit nga burgu për një gjykatë pjesëtarët e njësive speciale kanë maltretuar për një orë të akuzuarin, Enver Hoxha-Klain. Ajo kërkoi nga përfaqësitë ndërkombëtare që të ndihmojnë në parandalimin e dhunës. Për shkak të maltretimeve në seancat e kaluara gjyqësore, të akuzuarit disa herë kanë kërkuar ndërhyrjen e ndihmës.

Përndryshe, vitin e kaluar në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, një “Grup i armatosur” është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë tetë pjesëtarë të MPB-së dhe 10 pjesëtarë të “Grupit të armatosur”.