Maqedoni
RDK ka mbajtur tubim në Dobrosh të Tetovës
16.04.2014 18:16
Rilindja Demokratike Kombëtare mbrëmë në fshatin Dobrosh të Tetovës hapi shtabin elektoral zgjedhor për degën e Komunës së Tearcës...

Rilindja Demokratike Kombëtare mbrëmë në fshatin Dobrosh të Tetovës hapi shtabin elektoral zgjedhor për degën e Komunës së Tearcës, për zgjedhjet parlamentare të 27 prillit. Kryetari i RDK-së, njëherit bartës i listës në njësinë zgjedhore numër 6, Rufi Osmani, numëroi dështimet e Qeverisë së deritanishme në plan ekonomik dhe politik, duke akuzuar se të gjitha investimet dhe punësimet janë bërë në Maqedoninë lindore, kështu duke anashkaluar vendbanimet shqiptare.
Ai tha se shqiptarët duhet të marrin 25 % nga buxheti, për të investuar dhe hapur vende të reja të punës, gjë e cila do të parandalojë shpërnguljen e rinisë shqiptare nga vendi. Platforma e RDK-së do t’i ofrojë shqiptarëve një mirëqenie më të mirë ekonomike, do ta kthejnë dinjitetin dhe do të heq padrejtësitë që bëhen ndaj shqiptarëve.
“Dështimi i radhës që i ka pru sot shqiptarët buzë greminës, që i ka pru në prag të varfërisë ekstreme, me një papunësi të skajshme dhe me një dëshirë të madhe për të ikur nga vendi, është pikërisht mos marrja e 25%”, deklaroi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
Kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Izet Zeqiri, thotë se duhet kërkuar ndryshime kushtetuese sa i përket postit të kryetarit të shtetit.
“Duhet të kërkohet nënkryetar, të bëhen ndryshime kushtetuese dhe të kërkohet që shqiptarët të kenë nënkryetar të shtetit të Maqedonisë, i cili nënkryetar do të zgjidhej sipas modelit amerikan”, u shpreh kandidati për deputet, Izet Zeqiri.
Nga RDK thanë se do të angazhohen të përmirësojnë situatën ekonomike, duke realizuar investime kapitale në vendet e banuara me shqiptarë. Interesi i gjithë shqiptarëve është në fokusin e RDK-së, u tha me këtë rast.
FLORIJE KAMBERI
