Rusia me luftanije në Mesdhe, dërgohen në Siri për të luftuar ISIS-in
Gjatë orëve të fundit, Rusia ka shtuar prezencën e saj ushtarake në ujërat e Detit Mesdhe...

Gjatë orëve të fundit, Rusia ka shtuar prezencën e saj ushtarake në ujërat e Detit Mesdhe teksa ka dërguar dy luftanije në Siri, të cilat sipas zyrtarëve do të godasin me raketa militantët e “Shtetit Islamik”.
Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i Marinës ruse, Nikolai Voskresenski, i cili u shpreh se këto mjete lundruese luftarake do t’i bashkohen pjesës tjetër të task forcës së përhershme detare.
Dy luftanijet lanë portin e Sevatopolit në gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe përmes Detit të Zi lundruan drejt Sirisë.
Për mediat u prononcua edhe ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili nënvizoi se dërgimi i luftanijeve në ujërat e Mesdheut ka për qëllim forcimin e kapaciteteve ushtarake të Rusisë në këtë rajon, me qëllim luftimin e organizatave të ndryshme terroriste në Siri, siç janë militantët e “Shtetit Islamik”, apo ata të frontit “al-Nusra”.
Moska prej muajsh e ka mbështetur presidentin, Bashar al-Assad, në luftën kundër rebelëve, por ende nuk dihet nëse do të ketë bombardime me grupimet që kundërshtojnë qeverinë aktuale.
Vendimi për dërgimin e dy luftanijeve në brigjet siriane vjen vetëm pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara pezulluan dialogun me Rusinë për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme.
Për këtë arsye, shumë e ekspertë e kanë interpretuar këtë lëvizje të Moskës si një mënyrë për të shtuar edhe më tej presionin ndaj perëndimit. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
