OEM: Të merren masa kundër korrupsionit, Kuçi: Të hapen terminale doganore në Jazhincë të Tetovës dhe në Bllatë të Dibrës
Largimi i barrierave doganore që ngarkojnë marrëveshjen e CEFTA-s...

Largimi i barrierave doganore që ngarkojnë marrëveshjen e CEFTA-s dhe ndërmarrja e masave për pengimin e korrupsionit janë kërkesat e afaristëve, që tregtia në rajon të mund të ecë përpara.
Jo u tha në Konferencën rajonale me temë “Thjeshtësia dhe harmonizimi i procedurave doganore”, me ç’rast u theksua edhe nevoja për hapjen e terminaleve doganore në vendkalimet Jazhincë dhe Bllatë.
“Qëllimi kryesor është hapja e tregjeve dhe largimi i tarifave doganore. Lehtësim në tregti nuk do të kemi përderisa nuk eliminohen ryshfeti dhe korrupsioni. Institucionet duhet të angazhohen në zbulimin e shkaqeve të paraqitjes dhe për zhdukjen e këtij fenomeni”,- deklaroi kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azevski.
“Nga doganat e Republikës së Maqedonisë kërkova njëjtë hapjen e terminaleve doganore në pikat kufitare Jazhincë të Tetovës dhe Bllatë të Dibrës si kërkesë e kamotshme nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore nga bizneset e suksesshme që gravitojnë në zonën e Tetovës, si dhe nga Zona e lirë ekonomike”,- tha ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Përfaqësuesit e biznesit nga Shqipëria theksojnë nevojën e mosngarkimit të bizneseve me tarifa shtesë nga ajo që është paraparë me marrëveshjen e CEFTA-s.
“Realisht pak zbatohet dhe biznesi pak di për marrëveshjen e CEFTA-s edhe pse ka kohë që është nënshkruar nga të dyja qeveritë dhe dhomat e tregtisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë bashkëpunime mjaftë të mira, bëjmë trajnime, lidhje të herëpashershme etj. Ta ndërgjegjësojmë biznesin që doganat respektive të dy vendet të zbatojnë marrëveshjen e CEFTA-s dhe mos t’i ngarkojnë me tarifa shtesë”,- theksoi drejtori i Çështjeve të Pronësisë Intelektuale, Albana Laknori.
Në debat njëherit u theksua se edhe pse Marrëveshja e CEFTA-s ka shënuar 10 vjetorin, edhe më tej hasen probleme të ndryshme doganore në mes vendeve nënshkruese të saj. Problemet më të mëdha në rajon janë shënuar në vendkalimet Maqedoni-Kosovë-Shqipëri. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
