Proceset integruese dhe marrëdhëniet ndëretnike, ekspertët: Partitë fajtore për krizat ndëretnike
Ndikimi i proceseve integruese euroatlantike në marrëdhëniet ndëretnike...

Ndikimi i proceseve integruese euroatlantike në marrëdhëniet ndëretnike, ishte në qendër të një debati, gjatë të cilit studentët e UT-së dëgjuan mendimet e ekspertëve. Këta të fundit u përqendruan më shumë në krizën ndëretnike që paraqitet herë pas here, duke potencuar se shkaktar kryesor të krizave të tilla janë vetë politikanët, që në shumë raste nxisin përçarje tek popullata.
“Vetë nocioni integrim nuk është diçka abstrakte, ne në qoftë se nuk integrohemi brendapërbrenda, d.m.th. shumë është e rëndësishme që shqiptarët dhe maqedonasit të gjejnë një gjuhë të përbashkët në Maqedoni, dhe kuptohet pakicat tjera, dhe në qoftë se arrijmë standarde dhe kritere të cilat janë kompatibile me ato standarde që janë euroatlantike. Unë definitivisht jam i bindur se politika është ajo e cila rregullon dhe ndikon në raportet ndëretnike dhe që mund t’i prishë kohë pas kohe, duke krijuar inskenime të ndryshme”,- deklaroi kryetari i Këshillit për Eurointegrime, Ismet Ramadani.
“Ardhmëria e këtij shteti dhe i gjithë Ballkanit është gjetja e një mënyre për respekt të ndërsjellët dhe bashkëjetesë. Kjo është punë shumë e gjatë dhe e mundimshme, dhe politikanët patjetër të mësojnë se kjo është një materie që duhet përsëritur çdo ditë nga ana e tyre”,- tha Trifun Kostovski.
Për zëvendësministrin e mbrojtjes, Bekim Maksuti, marrëdhëniet ndëretnike duhen kultivuar, por pengesa kryesore në rrugën euroatlantike, sipas tij, mbetet kontesti me emrin.
“Marrëdhëniet ndëretnike luajnë një rol kryesor edhe në ngritjen e kësaj organizate dhe pikërisht sot do të flasim se si në RM duhet t’i kultivojmë dhe t’i çojmë më para drejt rrugëtimit në NATO-s. Mirëpo, siç e dini, pengesë ende mbetet konteksti me ermin me Republikën e Greqisë”,- tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Tribuna e sotme në Tetovë u organizua nga Këshilli EuroAtlantik i Maqedonisë dhe Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës. (Visar Sadiki, TVM2)
