Rasti “Lagja e trimave”, 15 të akuzuar ankohen për keqtrajtim nga policia
Rritet numri i të akuzuarve në rastin “Lagja e trimave”...

Rritet numri i të akuzuarve në rastin “Lagja e trimave”, të cilët ankohen se janë keqtrajtuar nga njësiti special gjatë transportit deri në gjykatë.
Për dallim nga radhët tjera kur ankoheshin për keqtrajtim fizik dy ose tre të akuzuar, në këtë seancë gjyqësore 15 të akuzuar para trupit gjykues u ankuan për dhunë fizike dhe psikike.
Enver Hoxha–Klein u ankua i pari dhe më pas vazhduan Dem Shehu, Genc Sefaj, Landrit Rustemaj, Lirim Krasniqi, Mirsad Kerimi, Esat Tafegjolli, Musadik Pajaziti, Shefqet Kallaqi, Andi Krasniqi, Rufki Dogani, Mendirit Rustemi, Mirsad Kerimi dhe Andi Krasniqi.
I akuzuari, Lirim Krasniqi, në seancë i irrituar pyeti: “A kafshë jemi ne? Kjo nuk është normale!” Në shenjë solidarizimi, të gjithë të akuzuarit ngritën dorën, se nuk munden ta ndjekin seancën gjyqësore pas dhunës brutale që ushtrohet mbi ta. Reagimi i gjykatëses, Verka Petrovska, ishte i menjëhershëm. “Nuk pranoj solidaritet, ku ka nevojë ne do të reagojmë, por jo në këtë mënyrë”. Seanca gjyqësore u ndërpre për një orë që të kryhen kontrolle mjekësore tek të akuzuarit.
“Në gjendje më të rënd janë Enver Hoxha-Klajn, shtetasi gjerman dhe Mirsad Kerimi, i cili 5-6 muajt e fundit ka sëmundje serioze dhe e njëjta ka progresuar. Kështu që iu sigurua kontroll nga ana e ndihmës së shpejtë, por insistojnë që të kontrollohen edhe nga psikiatër dhe mjekë specialistë, të cilët do të mund të diagnostikojnë lëndimet dhe sëmundjet për të cilat këta dy ankohen”,- deklaroi avokati, Asmir Alispahiç.
Deri sa vijonin ankesat e të akuzuarve për keqtrajtimet fizike dhe psikike, pjesëtarët e njësitit special qëndronin shumë afër gazetarëve. Këta të fundit dëgjuan kërcënimin e policëve për përdorimin e shkopinjve të gomës, që e konfirmon edhe avokati mbrojtës.
“Ju uleni mbrapa në sallën e gjyqit dhe ju më mirë i dëgjoni se ne avokatët, pasi ne ulemi para. Kjo për mua si mbrojtës, por edhe për avokatët e tjerë, duhet të ndalohet, që të mund procesi të zhvillohet pa probleme dhe në bazë të Ligjit për procedurë penale”,- tha avokati, Asmir Alispahiç.
Gjykatësja e lëndës kërkoi nga MPB që të merren masa mbi këtë çështje, ndërsa të njëjtën kërkesë e kanë edhe avokatët, të cilët përgjegjësinë më të madhe e bartin tek MPB, sepse transporti i të akuzuarve nga burgu deri në gjykatë dhe anasjelltas është i MPB-së. Avokatët thanë se nëse vazhdon keqtrajtimi i të akuzuarve ato do të bojkotojnë seancën. (Sanije Duraku, TVM2)
