USAID, integrimi ndëretnik në arsim, rinovohet Sh. F. “Ismail Qemali” në Çair
Ambasada amerikane së bashku me Komunën e Çairit, shënuan....

Ambasada amerikane së bashku me Komunën e Çairit, shënuan me një solemnitet rinovimin e Shkollës “Ismail Qemali”, në kuadër të projektit të USAID-it për integrim ndëretnik në arsim.
Qëllimi kryesor i këtij programi është që t’i integrojë fëmijët me prejardhje të ndryshme etnike përmes edukimit dhe aktiviteteve të tjera.
“Titujt e gazetave shpesh përqendrohen në ndarjen mes njerëzve, ndarjet në bazë të përkatësisë etnike apo fetare. Tejkalimi i këtyre tensioneve dhe tejkalimi i dallimeve nuk është një detyrë e lehtë kudo. Nxënësit dhe mësuesit nuk mund ta bëjnë këtë vetëm. Ata kanë nevojë për mbështetjen e familjeve, bashkësive dhe udhëheqësve të tyre. Tejkalimi dhe shërimi i ndarjeve ka nevojë për një përpjekje të përbashkët nga të gjithë”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhejs Bejli.
“Përmes projektit të USAID-it për integrim ndëretnik në arsim na u hapën mundësitë për bashkëpunim të frytshëm në shkollat në komunën tonë, por edhe bashkëpunimi me shumë komuna të tjera dhe krijimi i partneriteteve midis shkollave”,- tha në mes tjerash kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Por, edhe pse projekti kishte të bëjë me reduktimin e ndarjeve etnike, emri i shkollës akoma mbetet problem mes dy komuniteteve. Në tabelën e hyrjes emri i shkollës figuron si “Ismail Qemali”, por ftesat për media, broshurat dhe gjatë gjithë fjalimit u përmend emri “Rajko Zhinzifov”.
Emrat e shkollave, Bejli: Me rëndësi të ndërtohet kohezioni ndëretnik
I pyetur se përse shkolla mbetet akoma me dy emra, ndryshe për maqedonasit dhe ndryshe për shqiptarët, ambasadori Bejli tha se nuk është në kompetencë të tij të flasë për këtë çështje, por me rëndësi është ndërtimi i mirëbesimit mes komuniteteve.
“Nuk jam i njohur me këtë çështje, por sa i përket integrimit do ju thosha vetëm shikojeni historinë e shtetit tim. Është një proces i gjatë, më me rëndësi në këtë proces është të mos fokusoheni në atë që ka mbetur pa bërë, por në atë që mund të bëhet më tej. Aktivitetet në të cilat kjo shkollë merr pjesë, atë që pashë në klasat sot dhe me vetë nxënësit, janë gjërat që ndërtojnë kohezionin ndëretnik. Mos shikoni historinë e së shkuarës apo emrat, nuk them që emri nuk është i rëndësishëm, por ai nuk ndërton kohezionin që kërkoni. Bashkëpunimi ndërtohet përmes aktiviteteve të nxënësve të shkollës, mësuesve dhe prindërve të tyre”,- u shpreh ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhejs Bejli.
Populli amerikan, përmes USAID-it ka investuar mbi 580 milionë dollarë në Maqedoni që nga viti 1993. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
