FSSh: Çdo të enjte “Ditët e hapura” për qytetarët

06.10.2016 17:59

Të siguruarit e Fondit Shëndetësor në kuadër të “Ditëve të hapura”....

Të siguruarit e Fondit Shëndetësor në kuadër të “Ditëve të hapura”, çdo të enjte në të gjitha 30 shërbimet rajonale do të mund të informohen nga personat përgjegjës për të drejtat e tyre.

Po ashtu ata do të kenë mundësi t'i japin idetë e tyre dhe propozimet, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor.

“Të siguruarit vijnë që të interesohen për nevojat e tyre të ndryshme, ne mundohemi t’i klasifikojmë, por më së shpeshti vijnë për sigurim shëndetësor. Pyetja më aktuale e të siguruarve  është për të fituar të drejtën  e in-vitros. Kjo ndodh për shkak se ne si fond mundohemi ta popullarizojmë dhe t’i lehtësojmë procedurat administrative”,- deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Stefanovski.

Ndërkohë, qytetarët shprehen të kënaqur për shërbimet administrative të këtij institucioni shëndetësor.

“Për herë të parë vij për sigurimin shëndetësor dhe mbarova punë”,- u shpreh një qytetar.

“Kam ardhur të interesohem se gruas time i ka humbur kartela elektronike, e kam paraqitur në gazetën zyrtare”,- theksoi një qytetar.

Fondi i fton të gjithë të siguruarit, çdo të enjte prej orës 10:00 deri në orën 13:00, t'i vizitojnë shërbimet rajonale dhe të drejtohen për çfarëdo pyetje në lidhje me sigurimin shëndetësor. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)