Maqedoni
PDSH vazhdoi fushatën në Sllatinë
16.04.2014 18:29
Partia Demokratike Shqiptare fushatën e saj zgjedhore e shtriu në Sllanë të Tetovës dhe fshatrat përreth...

Partia Demokratike Shqiptare fushatën e saj zgjedhore e shtriu në Sllanë të Tetovës dhe fshatrat përreth. Partia e Thaçit tanimë ka ndryshuar rrjedhën e fushatës, duke trajtuar më shumë procesin zgjedhor në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas Thaçit, atë ditë shqiptarëve u është mohuar e drejta demokratike për të votuar, prandaj Thaçi kërkon votën e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare, që të mund të ndryshojë zhvillimet politike në vend. Sipas Thaçit, ditën e votimit më 13 prill kanë votuar vetëm kushtimisht thënë, ushtarët e kësaj partie.
“Unë jam jo lideri i PDSH-së, por të dielën kam qenë komandanti i 40 mijë ushtarëve. Si ishte ajo që bën ai tjetri, kur shkon në Këshillin Votues të votojë ky i PDSH-së?! Kur ia merr letërnjoftimin, ai i BDI-së i thotë Hasan Hyseni, që ky tjetri t’i lëshojë porosi familjes menjëherë që ky ka dalë ka votuar. Kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një kombi. Kur dikujt ia merr të drejtën e votës ia merr lirinë dhe jo rastësisht motoja e PDSH-së është për liri, se çështja e votës është shumë e rëndë, shumë hyjnore, kur të hysh aty të votosh veç t’i dhe Zoti e din se për kënd voton”, u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Sipas Thaçit, ftesa për bojkot të zgjedhjeve presidenciale ka pasur mesazh të keq dhe çon vendin drejt zhvillimit politik si në Mal të Zi, ku shqiptarët përfshihen në parti joshqiptare, duke dëmtuar partitë shqiptare. Thaçi vlerëson se këtë e mundëson edhe sistemi antishqiptar.
Prandaj Thaçi kërkoi votën e shqiptarëve për të mbrojtur, siç tha ai, çështjen shqiptare në Maqedoni. Sipas Thaçit, kush voton BDI-në voton për projektin “Shkupi 2014”, voton për enciklopedinë maqedonase, për aksione policore, voton kundër xhamive dhe për nënçmimin e shqiptarëve.
Ai quajti mashtrim premtimin e BDI-së për hapjen e 60 mijë vendeve të reja të punës. Sipas tij, as gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar, pasi nënkryetarja e Kuvendit gjatë gjithë mandatit nuk ka guxuar të flasë shqip. Thaçi akuzoi kreun e BDI-së se po keqpërdor pushtetin për të eliminuar PDSH-në në Zajaz, e cila në këtë vend merr zero vota.
Edhe kandidati për deputet dhe ish-deputet i kësaj zone, Imer Aliu, akuzoi BDI-në se po ua mohon lirinë shqiptarëve, pasi ftuan shqiptarët që të mos e votojnë kandidatin shqiptar të propozuar nga kjo parti.
Ai kërkoi nga votuesit e zonës së tij që të votojnë PDSH-në, që kreu i kësaj partie përmes marrëveshjes politike të zgjidh çështjen e shqiptarëve njëherë e përgjithmonë. Sipas tij, në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, përkundër kërcënimeve kanë votuar ushtarët partiak, ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të votojnë, sipas tij, rreth 120 mijë simpatizues të kësaj partie.
“Ata në mbrëmje u befasuan me votën e PDSH-së. 40 mijë shqiptarë dhe shqiptare dolën dhe votuan përskaj kërcënimeve kandidatin e PDSH-së dhe u treguan se kërcënimet, shantazhi dhe terrori i tyre ndaj shqiptarëve i ka ardhur fundi. Ajo ishte prova gjenerale më 13 prill, prova finale dhe testi final për PDSH-në dhe shqiptarët e Maqedonisë është 27 prilli. Ata e morën porosinë me 40 mijë vota, me 13 prill do ta marrin porosinë me 120 mijë vota më 27 prill“, tha kandidati për deputet, Imer Aliu.
Edhe kandidati tjetër për deputet nga kjo zonë, Faruk Abedini, trajtoi procesin zgjedhor në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas tij, ftesa për bojkot dhe frikësimi i shqiptarëve që të mos dalin të votojnë, duke u shtuar mllefin te shqiptarët, i cili mllef sipas tij, do të shkojë në favor të PDSH-së.
“Ata kanë harruar vetëm një gjë: ç’farë do të bëjnë me atë mllefin e vrullshëm që është i kanalizuar më 13 prill? Ku do të shkojë mllefi? Ne mendojmë se atë mllef popullata do të dijë ta mposht dhe ta votojë PDSH-në dhe lirinë e privuar ta dënojnë”, theksoi kandidati për deputet, Faruk Abedini.
Sipas PDSH-së frikësimi i shqiptarëve për të dalë në votime nga partitë shqiptare, është leksion për partitë maqedonase se si të frikësojnë shqiptarët me inspeksione dhe kërcënime për largim nga puna sa herë që duan që shqiptarët të mos dalin të votojnë. Ai premtoi se PDSH do të reagojë ashpër nëse ndodh një gjë e tillë dhe se maqedonasve as që duhet t’u shkojë ndër mend një gjë e tillë.
Ndryshe kandidati i PDSH-së, Iljaz Halimi, në rrethin e parë zgjedhor arriti të grumbullojë vetëm 38.965 vota, ose thuaja rreth 30 mijë vota më pak se sa fillimisht, kishte deklaruar kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, i cili pretendonte që PDSH ka rreth 70 mijë vota të sigurta dhe se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit, do të fitojë 13-14 deputet.
Partia Demokratike Shqiptare në zgjedhjet parlamentare garon në shtatë njësi zgjedhore, nga nëntë gjithsej. PDSH nuk ka listë për njësinë zgjedhore numër katër dhe për njësinë zgjedhore numër nëntë.
SHPËTIM NUREDINI
