Propozim-buxheti për vitin 2017, taksa radio-difuzive përplas LSDM-në dhe VMRO-në
Financimi i RTVM-së ka qenë temë e debatit dhe polemikave...

Financimi i RTVM-së ka qenë temë e debatit dhe polemikave ndërmjet pushtetit dhe opozitës në kuadër të debatit për buxhetin e vitit 2017 në Komisionin për financa dhe buxhet.
LSDM propozon që të ndahen 870 milionë denarë për servisin radio-difuziv publik. Sipas propozuesit të amendamentit, me këto mjete do të jetë e mbuluar shuma e cila tani sigurohet nga taksa radio-difuzive dhe në atë mënyrë qytetarët do të jenë të liruar nga kjo pagesë jologjike.
“Financimi i deritanishëm i RTVM-së si servis publik, ku përqindja më e madhe e mjeteve sigurohen me pagesën e taksës radio-difuzive nga ana e qytetarëve, në asnjë mënyrë nuk është në pajtim me qëllimin e mbrojtjes së shfrytëzuesve të servisit publik. Në fakt këtu qëndron thelbi i ekzistimit të servisit publik, të mbrohet interesi i qytetarëve”,- deklaroi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Por, nga VMRO kundërpërgjigjen se përderisa tani taksa radio-difuzive ka shumën e 190 denarëve në kohën e LSDM-së, ajo kushtonte përafërsisht diku rreth 890 denarë. Nga pushteti gjithashtu theksuan se gjatë këtyre 40 ditëve, sa është emëruar redaktori i propozuar nga LSDM, servisi publik është shndërruar në një medium i cili promovon vetëm një subjekt politik.
“Si është më logjike, 900 denarë kur ishit ju apo 190 denarë tani? Ju po bëni sikur të mos keni paguar taksën radio-difuzive para 7-8 viteve, sikur dje të jetë sjellë kjo mënyrë e financimit. Ju lutem jeni pak më objektiv”,- tha Dimitar Stefananxhia nga VMRO-DPMNE.
Propozim-buxheti i vitit 2017 është projektuar në bazë të projeksionit për rritje ekonomike për 3%, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 187,6 miliardë denarësh, që është për 7,6 për qind më shumë në krahasim me vitin 2016. Shpenzimet e përgjithshme janë në nivel prej 206,22 miliardë denarë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
