Ndryshimet në pr/ligjin për Avokatin e Popullit, pushteti dhe opozita me qëndrime të kundërta

06.10.2016 19:03

Është rikthyer sërish në procedurë projekt-ligji për Avokatin e Popullit...

Është rikthyer sërish në procedurë projekt-ligji për Avokatin e Popullit, vetëm disa javë pasi që i njëjti u miratua në kuvend.

Sipas mazhorancës, bëhet fjalë për disa ndryshime të vogla dhe teknike, ndërkaq LSDM-ja opozitare nëpërmjet amendamenteve sërish ka kërkuar intervenim në kornizën ligjore.

Ata kërkuan që në ligj të inkorporohet mundësia që përveç raportit të përgjithshëm, kuvendi të ketë mundësi të shqyrtojë edhe raporte të veçanta, të cilat do t’i parashtrojë Avokati i Popullit, për shkak të përballjes me mosbashkëpunim nga organe të caktuara ekzekutive.

Sipas tyre, në debat do të duhej të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Por, përfaqësuesit e pushtetin konsiderojnë se me këtë propozim vjen deri te përzierja e kompetencave ekzekutive midis kuvendit dhe qeverisë.            

“Me Ligjin për parlamentin dhe rregulloren e punës së parlamentit, nuk i lejohen funksione apo kompetenca gjyqësore dhe ekzekutive dhe për këtë arsye amendamenti është i papranueshëm për faktin se për çdo pengesë të punës së AP-së me raport të veçantë, AP duhet t’i drejtohet parlamentit dhe ai të diskutojë për atë çështje dhe mos më lart çdonjëri që e ka penguar punën e tij të jetë prezent këtu. Do të thotë ajo se në atë organ që ka penguar punën e AP-së, do ta marrim në gjykim këtu”,- theksoi Talat Xhaferi nga BDI.

“Absolutisht nuk bëhet fjalë për shkeljen e parimit të ndarjes së pushtetit nga vetë fakti se edhe vetë cekët se Avokati i Popullit dorëzon raport për mosrespektimin e të drejtave të njeriut në kuvend, për çka edhe debatohet. Mospërkrahja e këtij amendamenti përbën edhe një shembull se po përpiqeni ta shpëtoni qeverinë nga përgjegjësia për çështje të cilat lidhen me mosrespektimin e institucionit Avokat i Popullit”,- u shpreh Renata Deskoska nga LSDM.

LSDM mbetet në qëndrimin e para disa javëve se ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit nuk janë thelbësore, por kozmetike, ndërsa pushteti arsyetoi ndryshimet të cilat, sipas tyre, kanë për qëllim harmonizimin e kornizës ligjore të vendit me atë ndërkombëtare. (Naim Ramadani, TVM2)