Konferenca e reformave për furnizimin me ujë

06.10.2016 19:35

Me qëllim të informimit me kohë për proceset reformuese në sektorin e ujit....

Me qëllim të informimit me kohë për proceset reformuese në sektorin e ujit, në kryeqendrën e vendit u mbajt konferenca kombëtare për reformat me furnizimin me ujë.

Për realizimin e procesit reformues është përgjegjëse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me përkrahje të delegacionit të BE-së dhe Ministrisë së Financave.

Ministria e Ambientit është e angazhuar për sigurimin e mjeteve për ndërtimin e stacioneve të pastrimit dhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimit.

"Ujërat janë resurs i rëndësishëm që doemos do të duhet të mbrohen mirë dhe të menaxhohen më mirë. Ky vit ishte shumë i rëndësishëm për Ministrinë në mbrojtjen e ujërave, sepse filluam me ndërtimin e tre kanaleve të pastrimit për trajtim të ujërave të zeza në Kërçovë, Strumicë dhe Radovish, dhe dy për përmirësimin e rrjetit kanalizues në Kumanovë dhe Berovë. Njëherit filluam edhe me përpunimin e dokumentacionit teknik për ndërtimin e stacioneve të pastrimit për Velesin, Shtipin, Gostivarin, Dibrën dhe Koçanin",- deklaroi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti.

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, potencoi rrezikshmërinë e ujit nëse nuk menaxhohet mirë në raste kriza, ku përmendi edhe përmbytjet e fund0it të gushtit në Shkup.

“Si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Europian, ne kemi dhënë 4.5 milionë euro për këtë qëllim. Në momentin janë duke u zhvilluar tre projekte të financuara nga BE-ja. Këto projekte kanë për qëllim të sjellin një përmirësim të dukshëm në sektorin e ujërave. Ndryshimet nuk janë të lehta, por me angazhimin aktiv të të gjithë aktorëve mund të jetë më mirë për të gjithë ne”,- theksoi euroambasadori, Samuel Zhbogar.

Roli i ri i Komisionit Rregullator për Energjetikë është që të vendoset sistem  efikas në përcaktimin e çmimeve të shërbimeve të ujit, u tha në konferencë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)