Maqedoni

BDI mbajti tubim në Zhelinë

16.04.2014 18:37

BDI në katër vitet e ardhshme në Qeveri, do të realizojë konceptin për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike...

“Ne nuk defilojmë pas shpine për idenë e presidentit konsenzual. Ne nuk dëshpërohemi dhe nuk ngrisim flamurin e bardhë, ne do të ecim përpara deri në realizimin e idesë sonë, ide kjo që u përqafua nga pjesa dërmuese e shqiptarëve”, kështu u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në tubimin promovues të kandidatëve për deputet në Zhelinë. Ai më tej tha se kjo ide është e pastër, e drejtë dhe i ndihmon vendit të ecë përpara.
 
BDI në katër vitet e ardhshme në Qeveri, do të realizojë konceptin për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, pasi Maqedonia nuk ka alternativë tjetër, u shpreh Ahmeti, duke shtuar se ky është një mandat kur duhet të shkrihen akujt mes dy komuniteteve më të mëdha dhe këtë guxim duhet ta marrë elita politike maqedonase, pasi BDI-së ky guxim asnjëherë nuk i ka munguar.  
 
“Ne duam që ky vend të jetë i të gjithëve dhe me këtë duam që të gjithë të mbajnë përgjegjësi për proceset. A besojmë ne që një ditë do të realizohet kjo ide? Po, të jeni të sigurt, pasi ajo është ide që të avancon dhe jo që të kthen pas. Dialogu dhe komunikimi është shtylla e demokracisë për të funksionuar një shtet i mirëfilltë. Ne jemi të dialogut dhe të kompromisit e të pajtimit. Nuk e di pse frikësohen nga ne? Jam i bindur se ky është një mandat shumë i rëndësishëm dhe jam krenar që oferta që paraqet BDI para shqiptarëve është kuptuar drejtë, është vlerësuar drejtë dhe unë jam i sigurt që ne për katër vite do të realizojmë konceptin për integrimin e vendit, pasi nuk ka alternativë tjetër. Ky është një mandat kur duhet të shkrihen akujt mes dy komuniteteve më të mëdha dhe këtë guxim duhet ta marrë elita politike në krahun tjetër, pasi neve ky guxim kurrë nuk na ka munguar. Votoni opsionin që pasuron dhe na begaton të gjithë neve, konceptin që shpie përpara, që garanton paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon. Ka ardhur koha tani që ne të punojmë edhe për cilësi, pasi ajo krijon dhe materializon shumë ide. Pikërisht këto janë problemet që ne përkushtohemi, për një arsim më cilësor, për një shëndetësi të mirë, për spitale, për universitete dhe hapësira shkollore, konform standardeve evropiane. Nuk mund të ecim përpara, duhet pajtuar me të gjitha vendet fqinje, duhet pasur raporte të mira me të gjithë, pasi kështu mund të arrihen vlerat që ka Evropa. Luftërat e përgjakshme mes Gjermanisë dhe Francës u tejkalua dhe neve na duhen këto vlera. Nuk ka alternativa tjera përveç NATO-s dhe BE-së, pasi aty është ardhmëria jonë”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Kandidatët për deputet nga njësia e gjashtë zgjedhore dhe zyrtarë të BDI-së, u shprehën se platforma politike e BDI-së është përgatitur nga ekspert të ndryshëm dhe e njëjta është e realizueshme dhe nuk ka vetëm fjalë boshe. 
 
“Jam e bindur se ky mision duhet të vazhdojë, do të vazhdojë ose jo, përgjigjja duhet të vijë nga ju. S’ka dyshim, përgjigjja nga ju do të vijë më 27 prill për fitoren e sinqeritetit mbi manipulimin, përgjigjja nga ju do të vijë më 27 prill për fitoren e shpresës mbi frikën, përgjigjja nga ju do të vijë më 27 prill për fitoren e unitetit mbi përçarjen, përgjigjja nga ju do të vijë më 27 prill duke rrethuar numrin katër, do të dëshmoni se BDI është opsioni më i mirë i mundshëm dhe opsioni që ju garanton një të ardhme më të sigurt”, potencoi kandidatja për deputete, Nora Aliti.
 
“BDI është forcë e dëshmuar, ne e lëvizim dhe e ndryshojmë historinë dhe me përkrahjen tuaj dhe me përkrahjen e platformës politike dhe me këtë përkrahje masovike, do të rishkruhet një dimension tjetër i historisë në dobi të të gjithë neve dhe gjeneratave që vijnë pas nesh. Ne e kemi dëshmuar për të bartur përgjegjësi dhe kemi koncept dhe gatishmëri për të realizuar projekte dhe procese të mëdha”, tha shefi i Shtabit Komunal, Fatmir Izairi.
 
“Këtë mandat më të fortë ne nuk e kërkojmë kundër askujt, e kërkojmë pikërisht për realizimin e platformës sonë dhe realizimin e programit zgjedhor. Prandaj kërkoj që vota të koncentrohet rreth BDI-së, me qëllim që të mos humbet dhe të na përsëritet viti 2011, ku u shpërnda vota në më shumë parti dhe u humbën mandatet si shqiptar”, u shpreh shefi i Shtabit Qëndror, Abdilaqim Ademi.
 
BDI, platformën e saj zgjedhore e promovoi edhe në Cellopek dhe Bërvenicë. 
 
AFRIM TANALLARI