Marrëveshja me FARC, presidenti i Kolumbisë fiton Nobelin e paqes
Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, merr çmimin Nobel për Paqe për vitin 2016...

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, merr çmimin Nobel për Paqe për vitin 2016, për arritjen e marrëveshjes së paqes me rebelët e FARC-it, të nënshkruar muajin e kaluar, pas katër vitesh negociatash.
Më shumë se 260 mijë persona kanë mbetur të vdekur në konfliktin 52-vjeçar në Kolumbi, ndërsa mbi 6 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit gjatë këtij konflikti.
Të hënën populli kolumbian refuzoi me votë në referendum atë që ishte cilësuar si “ujdia historike e paqes” me rebelët e FARC-it. Për komitetin e Nobelit në Stokholm njerëzit në referendum nuk refuzuan thelbin e paqes me rebelët, por specifikat e saj.
“Komiteti shpreson se çmimi i paqes t’i jepet Juan Manuel Santos për fuqinë për të arritur suksesin në këtë detyrë të vështirë. Ajo që shpresojmë ne është se në vijim populli kolumbian do të korrë frytet e procesit të pajtimit me rebelet e FARC-it”,- tha një përfaqësuese e Komitetit të Nobelit.
Më herët, presidenti Santos ka deklaruar se pavarësisht rezultatit, armëpushimi i negociuar do të mbetet në fuqi, po ashtu ka deleguar një grup negociatorësh për të shkuar në Kubë dhe për t’u konsultuar me liderët e FARC-it.
Në garë për të fituar çmimin kishte një numër të madh kandidaturash, mes tyre edhe kancelaria, Angela Merkel, dhe Papa Françesku. Edhe pse çmimi Nobel prej 718 mijë paund tashmë iu akordua presidentit kolumbian, më të përfolurit si fituesit e paqes për këtë vit ishin grupi vullnetar sirian “Helmetat e bardha” për shpëtimin e rreth 60 mijë jetëve nga bombardimet fatkeqe të rajonit. (Leunora Kaliqi, TVM2)
