Uragani “Matthew” shkatërron Haitin, mbi 300 të vdekur e 15 mijë të zhvendosur

07.10.2016 12:55

339 persona është bilanci i viktimave në Haiti nga uragani “Matthew”...

339 persona është bilanci i viktimave në Haiti nga uragani “Matthew”, i kategorizuar tashmë si stuhi e shkallës së katërt, përderisa gjendjen në të cilën e ka lënë pas vendin është e paimagjinueshme. 

Ekipet e shpëtimit për herë të parë arritën në qytetet e izoluara që janë shkatërruar nga stuhia e fuqishme dhe kjo rrit frikën e shpërthimit të epidemisë së kolerës. Vërshimet kanë ndotur ujërat rezervë, ndërsa ushqimet janë të pakta. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde, u shpreh e gatshme të ndihmojë viktimat e stuhisë më të madhe të një dekade në Atlantik.

“Jemi të dëshpëruar nga raportet për jetët e humbura, shtëpitë e shkatërruara dhe dëmet e shkaktuara. Kemi linja të reagimit të shpejtë, të cilat mund të vihen në lëvizje menjëherë, e padyshim do të bëjmë çdo gjë që të mundemi për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë”,- deklaroi shefja e FMN-së, Christine Lagarde.

Presidenti, Barack Obama, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Florida dhe Karolinën Jugore, përderisa këto shtete i janë bashkuar shtetit Georgia, ku guvernatori atje ka urdhëruar evakuimin e të paktën tre milionë njerëzve që jetojnë në zonat bregdetare.

“Qendrat e lindjes janë asgjësuar si pasojë e stuhisë dhe për ne në UNFPA është prioritet që të sigurojmë hapësirë për gratë të cilat  kërkojnë ndihmë, sidomos shtatzënat. Ne kemi koordinuar ekipet e mamive që do të vendosen në zonat më të prekura. Shqetësimi ynë tani është së shumica e popullatës janë larguar dhe në mesin e tyre ka shumë vajza dhe gra të cilat janë në tenda dhe janë të ekspozuara në rrezik për dhunë”,- theksoi përfaqësuesja e UNFPA-së, Marielle Sander-Lindstrom.

Njëri prej qyteteve të gjendura në rrugën e tij, Jeremie, është rrafshuar thuajse krejtësisht nga faqja e dheut. Uragani, që solli me vete shira të rrëmbyer dhe erëra me shpejtësi deri në 251 km në orë, llogaritet të ketë kthyer në gërmadha mbi 3.200 shtëpi, ka zhvendosur 15 mijë vetë, ka shkatërruar plantacione e ka mbytur kafshë. (Leunora Kaliqi, TVM2)