Kriza politike, Zhbogar: Fushatë e drejtë dhe zgjedhje kredibile
Kriza në të cilën gjendet vendi shkaktoi goditje serioze jo vetëm te sistemi politik...

Kriza në të cilën gjendet vendi shkaktoi goditje serioze jo vetëm te sistemi politik, por edhe te sundimi i së drejtës dhe demokracisë.
Për dalje nga kjo krizë politike është e nevojshme fushatë e drejtë dhe zgjedhje kredibile në dhjetor, tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Sipas tij, zgjedhjet në dhjetor do të jenë test për liderët politik, por edhe institucionet, nëpunësit publik, mediat dhe qytetarët.
“Kjo krizë i shkaktoi goditje serioze jo vetëm sistemit politik, por edhe vetë themeleve të sundimit të së drejtës dhe rendit demokratik dhe e paralizoi vendin tashmë tejet gjatë. Unë jam optimist dhe do mbetem optimist. Me të vërtetë besoj se me angazhim të fuqishëm politik dhe përpjekje nga të gjithë faktorët relevantë, shoqëria civile dhe qytetarët, problemet do të zgjidhen dhe kriza do të përfundojë”,- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.
Nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit thonë se lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim permanent dhe avancim të mekanizmave parandalues dhe represiv. Sipas KShPK-së, problem aktual është mosparaqitja e raporteve financiare nga partitë politike.
“Problem të madh kemi me mungesën e raporteve nga partitë politike për financimin e fushatave zgjedhore. Problemi është edhe më i madh tek partitë më të vogla të cilat nuk janë mjaftueshëm të njoftuara me rregullativën ligjore për dorëzimin e këtyre raporteve. Për pjesmarrësit e proceseve zgjedhore që nuk dorëzojnë raporte, ne hapim procedurë para gjykatave kompetente. Shumë prej këtyre çështjeve janë procesuuar, një pjesë kanë përfunduar edhe me gjoba për partitë”,- deklaroi kryetari i KShPK-së, Igor Tanturevski.
Nga Enti shtetëror i revizionit thonë se puna e tyre është vështirësuar nga fakti që revizioni i financimit të partive politike nuk është unifikuar në nivel të BE-së. Deri tani në raportet e revizorëve nuk qëndron se bëhet fjalë për kriminalitet të zbuluar në financimin e partive apo fushatave.
“Në raportet e deritanishme të revizorëve nuk bëhet fjalë për vepër kriminale. Shumë herë kam sqaruar se metodologjia jonë mund të zbulojë të ashtuquajturat financime të fshehta për të cilat flitet gjatë fushatave zgjedhore. Por, metodologjia e revizorëve nuk mund të jetë pjesë e procedurës hetimore. Vetëm vendet anëtare të BE-së kanë mandat për revizion të partive politike”,- tha Tanja Tanevska nga Enti shteteror për revizion.
Në kuadër të konferencës “Metoda të avancuara për monitorim të financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore”, ministri i Drejtësisë, Xhaferi, thotë se Ligji për financimin e partive politike ka rregulluar procedurën e sigurimit të mjeteve financiare nga ana e tyre si dhe të kontrollit të financave dhe funksionimit financiar të partive. (Sanije Duraku, TVM2)
