Pavarësia e mediave, Zhbogar: Është çelësi kryesor i demokracisë

07.10.2016 16:34

Liria e shprehjes dhe e fjalës së lirë është një e drejtë fundamentale e njeriut...

Liria e shprehjes dhe e fjalës së lirë është një e drejtë fundamentale e njeriut dhe vlerë bazike e BE-së.

Është një e drejtë që lidhet drejtpërdrejtë me demokracinë dhe mjet për realizimin e të drejtave dhe lirive të tjera. Por, sipas euroambasadorit, Samuel Zhbogar,  fatkeqësisht shumë raporte nxjerrin qartë se liria e mediave në Maqedoni ende mbetet një sfidë kryesore.

Duhet angazhim thelbësor, kryesisht nga krerët politik, që t’u përgjigjen të drejtave të qytetarëve për qasje të lirë dhe objektive  tek informatat, porositi Zhbogar.

“Nëse qytetarëve u mohohet informimi i lirë, duke iu pamundësuar krahasimin e informacioneve të rëndësishme e të balancuara, ata ekspozohen ndaj propagandës, dhe kjo nënvlerëson demokracinë dhe efikasitetin e institucioneve. Kjo iu pamundëson qytetarëve të marrin vendime të rëndësishme kur duhet. Çdo shoqëri ka nevojë për balancim. Mediat e pavarura janë çelësi kryesor për këtë. Qytetarët duhet të besojnë se mediat luajnë rolin e kontrollorit të institucioneve. Mediat duhet t’u përmbahen standardeve profesionale dhe principeve të etikës, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por çdo ditë”,- theksoi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Por, fjala e lirë ka edhe përgjegjësi. Rregullatorët e mediave kanë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse duhet të jenë ruajtës së kësaj të drejte, thotë Zhbogar.

BE e ka bashkëfinancuar blerjen e pajisjes së re të Agjencisë për Shërbime Mediale Audio dhe Audio-vizuale për monitorimin e përmbajtjeve mediatike, një sistem i modernizuar për incizimin, ruajtjen dhe rishikimin e përmbajtjeve programore të transmetuara në radiot dhe televizionet e vendit.

"Me pajisjet sigurohet inçizim 24 orësh i programit të emetuar në serviset programore të radiove dhe televizioneve për të cilan Agjencia jep leje dhe pamje në kohëzgjatje prej të paktën 90 sekonda për çdo servis programor i ritransmetuar përmes rrjetit të operatorit të rrjetit publik të komunikimeve së paku katër herë gjatë një dite, gjegjësisht 24 orëve",- theksoi drejtori i AShMAV-it, Zoran Trajçevski.

Pajisja ka kushtuar 839.608 euro, prej të cilave 75 për qind e mjeteve janë siguruar nga BE-ja, ndërsa 25 për qind e tjera bashkëfinancim prej buxhetit të Agjencisë. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)