Dita botërore për punë të dinjitetshme, në Maqedoni shumë punonjës janë honoraristë
Në Maqedoni shumë punëtorë kanë status të parregulluar...

Në Maqedoni shumë punëtorë kanë status të parregulluar. Ekspertët nga fusha të ndryshme thonë se një numër i madh i personave punojnë me honorar pa sigurim shëndetësor, me paga të ulta dhe jo të regullta, si dhe pa regjistrim të stazhit.
“Ne jemi në një nga ato profesionet e ralla që duhet të sigurojmë mjetet për punë, edhe atë duke i sjellë nga shtëpia. Në institucionet arsimore ka shumë asistentë, të cilët paguhen me një shumë të vogël dhe ata nuk figurojnë askund. Si është e mundur që një profesor 45 vjeçar nuk ka asnjë ditë stazh pune”,- deklaroi profesoresha, Maja Stevanovski.
“Gazetarët në Maqedoni janë e vetmja kategori që nuk i posedon të drejtat autoriale në pjesët e tyre. Unë personalisht paguhem vetëm për tekstin që publikohet, por ka raste që teksti im merret nga ndonjë gazetë tjetër nga ana e redaksisë pa më pyetur mua fare”,- tha gazetari, Zvezdan Georgievski.
“Lufta më e madhe e punonjësve seksualë është pikërisht që puna e tyre të pranohet. Ata nuk pranohen si punëtorë në sindikatat e organizuara. Ju thuhet se puna e tyre nuk është kategori që mund të përfitojë të drejta si punëtorët e tjerë. Nuk ju paguhen kontributet, dhe kur të penzionohen nuk do të kenë sigurim shëndetësor”,- theksoi Irena Cvetkoviq.
Në tribunën e organizuar nga Fondacioni “Fredrih Ebert” u theksua se puna dinjitoze siguron të ardhura për përparim ekonomik, por fatkeqësisht ka raste kur kjo kategori e punëtorëve keqpërdoret. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
