Kërçovë, mbyllja e fakulteteve të disperzuara, studentët në protestë, UT: Nuk i plotësoni numrat

07.10.2016 17:37

Studentët e fakulteteve të disperzuara në Kërçovë...

Studentët e fakulteteve të disperzuara në Kërçovë protestuan sot kundër vendimit të rektoratit të UShT-së për mbylljen e fakulteteve të informatikës, anglishtes dhe gjermanishtes, dhe transferimin e studentëve këçovar në Tetovë.

Ata kërkuan tërheqjen e vendimit të rektoratit, sepse sipas tyre transferimi në Tetovë për të vazhduar studimet e filluara në Kërçovë është jo i përshtatshëm për studentët dhe familjet e tyre.

Para dy ditësh studentët kërçovarë kanë parashtruar një kërkesë deri tek rektorati i UShT-së, që të tërhiqet vendimi dhe të lejojnë vazhdimin e studimeve në fakultetet e disperzuara në Kërçovë.

Nga UT thonë se në të gjitha programet studimore të fakulteteve të disperzuara, ku nuk plotësohet numri i nevojshëm prej 20 studentësh për të formuar grupin, studentët duhet të barten në fakultetet amë në Tetovë.

Por, studentët shprehen se nuk do t’i ndalin protestat deri në sjelljen e një vendimi të favorshëm për studentët dhe familjet e tyre. (Shaban Dalipi, TVM2)