Këshilli gjyqësor shpall konkurs, zgjedh kryetarë të rinj në Gj. Supreme dhe Shkupi 1

07.10.2016 17:55

Këshilli gjyqësor në periudhë parazgjedhore shpall konkurs për përzgjedhjen...

Këshilli gjyqësor në periudhë parazgjedhore shpall konkurs për përzgjedhjen e kryetarëve të ri në Gjykatën Supreme dhe Shkupi 1.

Akoma nuk dihet se në garën për një mandat tjetër katërvjeçar a do të jenë dy kryetarët aktual, Lidija Nedellkova dhe Vlladimir Pançevski.

Konkursi zgjat 15 ditë. Kryetari i Këshillit gjyqësor përgënjeshtron pretendimet se përzgjedhja e kryetarëve të rinj ka prapavijë politike.

“Politikisht nuk mund të ketë lidhje. Ai që dëshirojë të lidhë, do të krijojë një lidhje të tillë. Me ligj ne jemi të obliguar të shpallim konkurs i cili zgjat 15 ditë, në përputhje me rekomandimet e Komisionit për anti-korrupsion. Në rast se në periudhën kur bëhet përzgjedhja nuk janë krijuar kushte, rekomandimet e komisionit janë të mos bëhet përzgjedhja, ashtu ata do të zgjidheshin pas zgjedhjeve”,- deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Zoran Karaxhovski.

Kryetari i Këshillit gjyqësor  thotë se nuk ka vërejtje për punën e dy gjykatave. Por, në raportin për tre muajt e dytë të këtij viti, Gjykata Themelore Shkupi 1 mori vlerësim pozitiv, ndërkaq Gjykata Supreme cilësohet për punë të ngathët, pasi që nuk ka arritur të shqyrtojë lëndët e mbetura. Vlerësim të tillë kanë marrë edhe disa gjykata tjera të vendit.

“Kjo ngecje që është konstatuar nuk është pasojë e mospunës, por si pasojë e asaj që ndodhi, si pasojë e grevës në gjyqësor, pikërisht në tre mujorin e dytë kur është përpiluar raporti”,- theksoi anëtarja e Komisionit, Aleksandra Zafirovska.

Kryetari Karaxhovski reagoi siç u shpreh ndaj sulmeve të Janevës ndaj gjykatësve. Ai thotë se gjithsecili do të duhet të respektojë ligjet dhe të akuzuarit. Në Këshillin gjyqësor deri më tani nuk ka mbërritur ndonjë ankesë nga Katica Janeva, e paralajmëruar kohë më parë për punën e gjykatësve. (Meral Ismaili, TVM2)