Botë
Sulm me autobombë në Turqi, 17 të vrarë 27 të lënduar
09.10.2016 13:57
17 persona kanë humbur jetën në juglindje të Turqisë, si pasojë e një sulmi me autobombë përfshi 9 ushtarë, ndërsa 27 të tjerë janë lënduar...

Sulmi në bazën ushtarake “Durak” në rajonin Semdinli, është vepër e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Militantët e PKK-së e kanë hedhur në erë automjetin me eksploziv gjatë një kontrolli rutinë mëngjesin e së dielës.
Duket se shkak për këtë sulm janë bërë aksionet, që forcat turke të sigurisë kanë ndërmarrë kundër anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është nxjerrë jashtë ligji në këtë provincë.
“PKK”-ja, e cila nisi kryengritjen separatiste në vitin 1984, është e listuar si “organizatë terroriste” nga Turqia, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian.
Armëpushimi dyvjeçar mes grupit dhe autoriteteve turke u prish në korrik të vitit të kaluar, për pasojë, dhuna është përshkallëzuar në nivele tepër të larta, që nuk ishin parë që prej konfliktit më të përgjakshëm të viteve ’90.
