Botë

Lavrov: Moska do t’i mbrojë kapacitetet e saja në Siri

09.10.2016 17:58

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska ka mënyra për t’i mbrojtur kapacitetet e saja në Siri...

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska ka mënyra për t’i mbrojtur kapacitetet e saja në Siri, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosin t’i bombardojnë bazat ajrore ushtarake të qeverisë së Sirisë.
 
“Kjo është një lojë shumë e rrezikshme, duke pasur parasysh se Rusia, që është në Siri me ftesën e qeverisë legjitime të këtij vendi dhe duke i pasur dy baza atje, ka sisteme ajrore për t’i mbrojtur kapacitete e saja”, i tha Lavrov televizionit shtetëror rus.
 
Lavrov tha se ai kishte dëgjuar se ky ishte një opsion i paraqitur nga disa politikbërës në Uashington, por ka theksuar se është i bindur se presidenti amerikan, Barack Obama, nuk do të pajtohet me një skenar të tillë.
 
Qindra civilë janë vrarë nga sulmet ajrore të Rusisë dhe qeverisë së Sirisë në lagjet e Alepos, që janë nën kontrollin e kryengritësve, prej se armëpushimi i fundit, i ndërmjetësuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, u shkatërrua më 19 shtator.
 
Uashingtoni dhe Moska, që mbajnë anë të kundërta në konfliktin në Siri, e kanë kritikuar njëri-tjetrin për mosrespektim të marrëveshjeve për armëpushim.
 
Ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbrëmë vonë ka refuzuar dy rezoluta, me të cilat është kërkuar armëpushimi i menjëhershëm në qytetin e rrethuar Alepo të Sirisë.
 
Rezolutën e paraqitur nga Franca dhe Spanja, e cila parashihte ndaljen e të gjitha fluturimeve ushtarake ajrore, në kuadër të planit të armëpushimit, është kundërshtuar me veto nga Rusia.
 
Nuk u miratua as rezoluta alternative e propozuar nga Rusia, me të cilën kërkohej armëpushim, por nuk përmendej ndalja e fluturimeve ushtarake mbi Alepo.