Botë

Zgjedhjet presidenciale në ShBA, sondazhet: debati i dytë ka një fitues të qartë

10.10.2016 12:12

Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, dhe rivali i saj republikan, Donald Trump, u takuan përsëri në një debat të ashpër...

Fillimisht Trump u mbrojt ndaj akuzave për “kontakte fizike me femrat”, që erdhën pas publikimit të një regjistrimi të vitit 2005, ku ai mburrej për “mbushjet e duarve”.
 
Ai e mohoi këtë gjë, madje iu hodh në sulm bashkëshortit të kundërkandidates ndaj ish-presidentit, Bill Clinton.
 
Debati i ashpër mes Trump dhe Clinton vazhdoi edhe në çështje të tjera, përfshirë edhe përdorimin e email-it privat nga Clinton në kohën kur ishte sekretare e Shtetit deri në sulmet kibernetike dhe për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane. 
 
“Asnjëherë në historinë e shtetit tonë nuk kemi pasur një situatë të tillë, ku një fuqi e huaj po punon aq shumë që të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve tona dhe, më besoni, ata nuk po e bëjnë këtë që unë të zgjidhem presidente. Ata janë duke tentuar që të ndikojnë në zgjedhje për Donald Trump”,- deklaroi kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton.
 
Është diskutuar edhe çështja e Sirisë. Demokratja Clinton e ka cilësuar situatën si “katastrofale”, duke shtuar se çdo ditë që kalon ne shohim rezultatet e regjimit sirian dhe partnerëve të tyre në terren duke u bombarduar. Trump tha se nuk i pëlqen presidenti sirian, Bashar al-Assad, dhe shtoi se ai dhe Rusia janë duke luftuar IS-in.
 
“Tani për tani, Siria është duke e luftuar IS-in. Por, Siria më nuk është Siri. Siria është Rusia dhe Irani, të cilat sekretari John Kerry dhe Barack Obama i kanë bërë shtete shumë të forta dhe të pasura. Shumë shpejt, besoj se ne do të arrijmë deri tek IS-i”,- theksoi kandidati republikan për president, Donald Trump.
 
Për çështjen islame Trump tha se duhet të theksohet radikalizmi islamik, ndërsa Clinton iu përgjigj se islami nuk mund të identifikohet me terrorizëm, sepse në këtë mënyrë ndihmohen dhe fuqizohen grupet terroriste.
 
Rezultatet e së dielës ishin të përafërta me preferencat e shikuesve para debatit. 58% e votuesve thanë se mbështesnin Hillary-n përpara se të zhvillohej debati, gjë që tregon se diskutimet e zhvilluara nuk ndryshuan mendim në përzgjedhje edhe pas debatit Clinton fitoi sërish me 57% të shikuesve, ndërsa 34% ishin pro Trump, por, sipas CNN, Tump gjithsesi i kaloi pritshmëritë.
 
LEUNORA KALIQI