Uragani “Matthew”, mbi 900 të vdekur në Haiti, 16 në ShBA
Vazhdon lufta për nxjerrjen e të mbijetuarve apo viktimave....

Vazhdon lufta për nxjerrjen e të mbijetuarve apo viktimave nga gërmallat që la pas uragani “Matthew” në Haiti.
Stuhia më e fuqishme në Atlantik që nga viti 2007 ka lënë të vrarë rreth 900 persona në Haiti dhe së paku 16 në ShBA. Në qytetin Jeremi, 80 për qind të ndërtesave janë dëmtuar rëndë dhe qyteti pothuajse u shkatërrua tërësisht.
"Nuk dua të shkoj, por është emergjente për shkak të viktimave. Autoritetet e qeverisë, oficerët policorë dhe zjarrfikësit duhet të shkojnë në Jeremi për ta ndihmuar popullatën”,- deklaroi një zjarrfikës.
Edhe pse uragani “Matthew” ka zbritur në kategorinë e parë, vazhdon që të konsiderohet i fuqishëm. Pasi goditi Haitin, tashmë janë Shtetet e Bashkuara që po përballen me forcën e këtij uragani.
"Po përballemi me shkatërrimin dhe humbjen e trishtë të jetës. Por, ende nuk ka goditur Karolinën e Jugut. Tani për tani uragani “Matthew” po godit akoma pjesën verilindore të shtetit tonë”,- theksoi guvernatori i Karolinës së Jugut, Pat Mccrory.
Me fillimin e stinës së shirave dhe me rritjen e bilancit të viktimave në Haiti, UNICEF ndërkohë ka lëshuar alarmin e përhapjes eventuale të kolerës që transmetohet nga ujërat e ndotur.
Rreth 10 mijë persona kanë humbur jetën për shkak të kolerës në vitin 2010. Sipas statistikave të UNICEF-it, më shumë se 27 mijë persona janë të prekur nga kjo sëmundje në Haiti. (Leunora Kaliqi, TVM2)
