Maqedoni

Varret masive në Kërçovë, fillon nxjerrja e mbetjeve mortore nga 1913-ta

10.10.2016 16:24

Ka filluar në Zajas nxjerrja e mbetjeve mortore që gjenden në një varr masiv që daton që nga viti 1913...

Edhe pse banorët lokal gjithnjë e kanë ditur ekzistimin e këtyre varreve masive në oborret e shtëpive të tyre, është hera e parë që ndërmerret një veprim i tillë.
 
Në vendin e ngjarjes erdhën edhe organet e hetimit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët do të bëjnë hulumtimet e mëtutjeshme.
 
Edhe më herët historianët dhe banorët alarmonin se në Kërçovë janë vrarë mbi 300 persona gjatë Luftës së Parë Botërore. 
 
“Janë gjetur nëntë kafka, eshtra trupore dhe pjesë të veshjeve të cilat mendohet se u takojnë viktimave të dhunës serbe, më vitin 1913. Nga eshtrat e gjetura shihet se viktimat fillimisht janë djegur dhe më pas janë hedhur në pus, i cili është mbuluar për të fshehur gjurmët e krimit. Në bazë të informacioneve të grumbulluara nga historianët dhe banorët vendor, numri i viktimave në këtë lokalitet mund të jetë nga 20 deri më 60”,- deklaroi koordinatori në Këshillin për ngritjen e Q. M. “Nëna shqiptare”, Musli Musliu.
 
Varreza masive nga e cila po nxirren mbetjet mortore gjendet në oborrin e shtëpisë së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Sipas banorëve të zonës, eshtra dhe mbetje kockore ka edhe tek xhamia e fshatit Zajaz Xhuma, por edhe në lokalitete të tjera të rajonit të Kërçovës, të cilat flasin për një gjenocid të vazhdueshëm shtetëror ndaj shqiptarëve, i cili patjetër duhet të zbardhet.
 
SHABAN DALIPI