Maqedoni

Punësimet në polici, kandidatët e papranuar kërkojnë zgjidhje

10.10.2016 17:03

34 kandidatë për policë, 22 prej të cilëve janë shqiptarë dhe 12 maqedonas...

34 kandidatë për policë, 22 prej të cilëve janë shqiptarë dhe 12 maqedonas, të cilët edhe pas një viti stërvitje nuk arritën të pranohen në MPB, protestuan para Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar që të jenë pjesë e MPB-së, njësoj si 400 kandidatët e tjerë të cilët tashmë kanë marrë vendime pune. 
 
“Ky problem të zgjidhet sa më parë, sepse është muaji i tetë radhazi që ne po presim. Ne nuk duam që të na përzieni në punë politike, e dimë se Ministria e Financave nuk e ka problem, sepse tash sapo mbaruan 660 kandidatë, por njëkohësisht pas disa ditësh do ta fillojnë konkursin edhe 660 të tjerë”,- thuhet në letrën të cilën kandidatët e papranuar ia dorëzuan ministrit Spasovski. Kandidatët thonë se MPB e hedh fajin tek Ministria e Financave, pasi ministri Spasovski është deklaruar pro punësimit të tyre. 
 
“Nga ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, ishim të mirëpritur dhe problemi është tek financat. Të mërkurën do të shkojmë para Ministrisë së Financave të shohim se si do jetë përgjigjja”,- tha një kandidat.
 
Mbështetje ka dhënë edhe zëvendësministri, Agim Nuhiu, i cili premtoi se do të ripërsëritet kërkesa deri tek Ministria për Financa që të sigurohen pëlqime financiare.
 
“Është një problem i trashëguar, që zgjidhjen e ka vetëm me sigurimin e pëlqimeve financiare shtesë edhe për këta kandidatë. MPB ka nevojë për efektiv të ri të policisë, prandaj dhe përkrahja ime do të jetë e palëkundur në këtë drejtim, që t’ju ndihmojmë këtyre kandidatëve që edhe ata të jenë pjesë e efektivit të policisë",- tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
 
Por, Ministria e Financave përgënjeshtron pohimet se nuk janë siguruar financa për pagat e 34 kandidatëve për rekrutë të policisë.
 
Ministria e Financave ka siguruar mjete për të gjithë kandidatët, ndërsa punësimet duhet t’i zbatojë MPB, janë kundërpërgjigjur nga Financat.
 
GYLTENE SINANI