Ekonomi

Buxheti 2017, vazhdon debati rreth amendamenteve të PDSh-së

10.10.2016 16:48

Vazhdon debati rreth propozim-buxhetit të vitit të ardhshëm, ku në Komisionin për financa dhe buxhet po shqyrtohen amendamentet e PDSh-së...

Zëvendësministri i Financave, Gëzim Beadini, hodhi poshtë në emër të qeverisë amendamentet e propozuara nga opozita shqiptare, me arsyetimin se për disa prej tyre veç më janë paraparë mjete.
 
PDSh akuzoi BDI-në se po anashkalon vendbanimet shqiptare edhe në ndërtimin e autostradave, por zëvendësministri Beadini përkujtoi se veç më kanë filluar projektimet për autostradën Gostivar-Kërçovë.
 
“E ndërton rrugën e cila e lidh Shkupit me “Makedonski Brodin”, edhe e tejkalon Tetovën, Gostivarin dhe Kërçovën dhe del lidhet me Ohrin. Ne mendojmë se këtë e kanë planifikuar, prandaj në qoftë se ju doni të thoni se nuk është ashtu, atëherë duhet të filloni dhe ta ndërtoni”,- deklaroi deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu.
 
“Veç më autostrada Gostivar-Kërçovë ka filluar projektimin. Projektimi do të bëhet në tre faza, veç më faza e parë dhe e dytë është në përfundimin e sipër, ndërsa këtë vit pritet të fillojë edhe faza e tretë e projektimit”,- tha zëvendësministri i Financave, Gëzim Beadini.
 
Debati do të vazhdojë sonte deri vonë, ndërsa në seancë parlamentare buxheti pritet të hyjë të mërkurën. Pikërisht buxheti është një nga shkaqet për shtyrjen e shpërbërjes së kuvendit, të paraparë fillimisht për më 12 tetor.
 
ERSAN PAJAZITI