Maqedoni

Sindikata nuk heq dorë nga greva, MM: detyrimet janë paguar, pagat do t’i shqyrtojmë

10.10.2016 18:07

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, refuzoi sot të përgjigjet nëse do të ulet në tryezën e bisedimeve me Sindikatën e Mbrojtjes...

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, refuzoi sot të përgjigjet nëse do të ulet në tryezën e bisedimeve me Sindikatën e Mbrojtjes për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për grevën e paralajmëruar për të premten.

Nga Sindikata e mbrojtjes dhe sigurisë thonë se nuk do të lëshojnë pe edhe përkundër presioneve, por nëse nuk gjendet zgjidhje për kërkesat e tyre, grevën do ta çojnë deri në fund.

Kërkesat e Sindikatës janë rritja e pagave për 20 për qind, zgjidhja e problemit për transportin e organizuar, pagesa e mëditjeve të papaguara të shpenzimeve të udhëtimit si dhe qiratë.

Por, nga Ministria e Mbrojtjes hedhin poshtë akuzat për vonesa në pagesën e detyrimeve ndaj stafit.

Qiratë janë paguar, është paguar edhe kompensimi i transportit, si dhe jetesa larg familjes.

Me përfaqësuesit e sindikatës kemi biseduar disa herë edhe për kërkesën e rritjes së pagave dhe e njëjta është në shqyrtim, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.