Maqedonia e feston Ditën e Kryengritjes Antifashiste
Republika e Maqedonisë sot shënon 75 vite nga fillimi i kryengritjes antifashiste...

Republika e Maqedonisë sot shënon 75 vite nga fillimi i kryengritjes antifashiste dhe luftës nacionalçlirimtare.
Kryengritja e armatosur filloi më 11 tetor të vitit 1941 kur luftëtarët nga Aradhat e para partizane të Prilepit e sulmuan patrullën policore bullgare dhe rrjetin telefoniko-telegrafik në Prilep, gjë që e shënoi fillimin e kryengritjes së organizuar të popullit të Maqedonisë kundër okupatorit bullgar, italian dhe gjerman për çlirimin final të vendit.
Ditën tjetër, më 12 tetor, doli edhe Aradha partizane e Kumanovës. 11 Tetori është vazhdimi i traditave çlirimtare të popullit liridashës të Maqedonisë, por edhe të përpjekjeve për çlirimin social dhe kombëtar të bëra në luftërat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore.
Me vendimin për hyrje në koalicionin antifashist Maqedonia qëndroi në anën e njerëzimit progresiv dhe kundër fashizmit si ideologjia më e errët e historisë bashkëkohore dhe mohimi më i fuqishëm i vlerave të përgjithshme civilizuese dhe demokratike.
Populli i Maqedonisë në mënyrë të pavarur luftoi për lirinë e tij. Kurorë e kësaj lufte janë vendimet e Asamblesë së parë të KAÇKM-së në vitin 1944, me të cilat janë përjetësuar idealet shumëshekullore për themelimin e shtetit të Maqedonisë.
Tradicionalisht për këtë festë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është ndarë çmimi shtetëror "11 Tetori".
