Katastrofa në Alepo, UNICEF alarmon, po vdesin shumë fëmijë

11.10.2016 12:40

Situata në lindje të Alepos është e tmerrshme...

Situata në lindje të Alepos është e tmerrshme. Përfaqësuesja e UNICEF-it në Siri, Hana Singer, deklaroi se shumë shkolla e spitale janë goditur nga sulmet dhe se për shkak të mungesës së shërbimeve të strukturave shëndetësore mjekët nuk janë në gjendje të trajtojnë të gjithë.

Për këtë arsye, tha ajo, shumë fëmijë braktisen në fatin e tyre.

"Dimë se kanë mbetur vetëm 30 mjekë dhe se mbi 100 fëmijë kanë mbetur të vrarë. Brenda vetëm një dite, kur unë isha atje, të paktën 25 persona, mes të cilëve pesë fëmijë, u vranë. Ekziston një frikë konstante nga vdekja. Mendoj se kjo është kriza më e rëndë humanitare e të gjitha kohërave”,- deklaroi përfaqësuesja e UNICEF-it në Siri, Hana Singer.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai turk, Rexhep Taip Erdogan, janë pajtuar për rëndësinë e dërgimit të ndihmës humanitare në Alepo. Ata vlerësojnë se duhet të sigurohet që ndihmat të arrijnë të paprekura në qytetin e shkatërruar nga luftimet. Pjesa lindore e qytetit që kontrollohet nga rebelët, është vënë në fokus të një fushate intensive bombardimesh ajrore nga avionët rusë dhe sirianë.

Që prej fillimit të ofensivës ushtarake në 22 shtator, disa ditë pas dështimit të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga ShBA dhe Rusia, të paktën 290 persona, 57 prej të cilëve fëmijë, janë vrarë në zonat e kontrolluara nga rebelët, sipas të dhënave të Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër. (Gazmend Rexhepi, TVM2)