ZGJEDHJET PARLAMENTARE

BDI: Shqiptarët u treguan të ndërgjegjshëm

17.04.2014 19:49

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, shqiptarët tejkaluan ngjyrat politike dhe ndërgjegjësuan elitat politike maqedonase………

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, shqiptarët tejkaluan ngjyrat politike dhe ndërgjegjësuan elitat politike maqedonase. Kështu u shpreh zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, duke shtuar se me këtë edhe riafirmuan fuqinë vendimmarrëse si komb shtetëformues në Maqedoninë multietnike.

“Kjo tregon se në kampin politik maqedonas çdo ditë e më tepër rritet vetëdija se matematika e numrave dhe politika multietnike nuk shkojnë bashkë. BDI-ja vlerëson se në paraqitjen e para disa ditëve të z. Zaevit, kur kërkon votën e qytetarëve shqiptarë, është një hap përpara, por jo i mjaftueshëm për ta kuptuar drejtë dhe saktë idenë e presidentit konsenzual që promovojmë ne. Kur themi presidenti konsenzual, duhet të jetë president i të dy komuniteteve, atij shqiptarë dhe atij maqedonas”, - deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Zëdhënësi Bujar Osmani, tha se projektet qeveritare që paraqet kryeministri Gruevski, janë rezultat i programit të përbashkët të BDI-së dhe VMRO-së.

“Sot kur zoti Gruevski afirmon arritjet e Qeverisë para shqiptarëve, gjithashtu është një hap përpara, por jo i mjaftueshëm. Arritjet që afirmon kryeministri janë arritje që kanë ardhur si rezultat i bashkimit të të dy programeve, atij të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së”, - tha Osmani.

Ai tha se shumë gabohen elitat politike maqedonase, të cilat për qëllim të përfitimit të votave të shqiptarëve, tentojnë të bindin elektoratin shqiptarë duke fajësuar elitat politike shqiptare. (Afrim Tanallari, TVM2)