Botë
Qeveria serbe pretendon anulimin e vendimit për “Trepçën”, Hoxhaj dhe Vuçiq me qasje kolonialiste ndaj Kosovës
11.10.2016 16:00
Qeveria e Serbisë ka sjellë një vendim me të cilin pretendon anulimin e të gjitha vendimeve dhe akteve ligjore të Kuvendit të Kosovës për "Trepçën"...

Siç ka deklaruar kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, “Trepça është shumë e rëndësishme dhe ne do ta mbrojmë atë. Unë nuk e kuptoj pse shqiptarët e bëjnë këtë.
Nuk do të lejojmë që të ndikojnë në të drejtën e pronësisë”,- ka thënë Vuçiq. Sipas tij, “Trepça” është e një rëndësie jetike për mbijetesën e veriut të Kosovës.
Ai po ashtu bëri të ditur se Qeveria e Serbisë ka pranuar propozimin e Zyrës serbe për Kosovën për pjesën më të madhe të kësaj çështje.
“Në Trepçë aktualisht punojnë 600-1200 persona dhe 3000 janë në buxhet. Në “Trepçë” i kemi dy miniera, dy në veri që janë të hapura, “BeloBrërdo” dhe “Cërnac” dhe që të dyja janë të vendosura kryesisht në territorin e Serbisë qendrore”,- tha kryeministri serb. Vuçiq ka thënë se që në fillim në Bruksel ka kërkuar që të flitet për pronën, por se asnjëherë nuk është pranuar një kërkesë e tillë. “Serbia duhet të vazhdojë që të flasë me Europën, të vazhdojë t`iu flasë të gjithëve në mënyrë që ta vazhdojë rrugën e saj ekonomike”,- ka shtuar Vuçiç.
Por, shefi i Diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka cilësuar deklaratat e kryeministrit serb si qasje kolonialiste, madje edhe raciste ndaj Kosovës, duke theksuar se një qasje e tillë është kjo e papranueshme për Prishtinën zyrtare.
“Qasja e tij në programin e qeverisë që ai Kosovën ta shikojë si pronë, apo që pronat janë të rëndësishme në raport me Kosovën, e kjo ka të bëjë edhe me “Trepçën” edhe me “Gazivodin”, që i ngre Vuçiqi, flet për atë që Serbia edhe më tej ka një qasje kolonialiste raciste në raport me Kosovën dhe për ne kjo është e papranueshme. Këtë qëndrim në katër muajt e fundit e kam përcjellë në të gjitha takimet që kam pasur”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
