Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e Vajzave, vajzat të diskriminuara në më shumë sfera

11.10.2016 16:24

Vajzat krahasuar me djemtë vazhdojnë të mbeten të diskriminuara, flasin raportet ndërkombëtare në Ditën Botërore të Vajzave...

Trajtimi jo i barabartë është vërejtur në më shumë fusha, sikurse ushtrimin e ligjeve, të ushqyerit, kujdesin shëndetësor, arsimimin, si dhe lirinë nga dhuna dhe abuzimi. Në aspektin social vihet re se çdo e treta vajzë është e martuar para moshës 18 vjeçare dhe jo çdo herë atyre u jepet pjesa e trashëgimisë.
 
Situatë e ngjashme në ndarjen e pronës mbizotëron edhe në Maqedoni, shprehen qytetarët e anketuar nga TVM2.
 
“Me ligj është e rregulluar se duhet që të gjithë të marrin pasurinë, d.m.th. pasuria të ndahet në trashëgimtarë, mirëpo të prirur me kanune të vjetra zakonisht femrat nuk marrin nga pasuria. Gjinia femërore është e diskriminuar në këtë rast”,- deklaroi një qytetar.
 
“Ka familje që po, e ndajnë, ka familje që jo. Kam dëgjuar që ka familje që më shumë e duan vajzën se sa djalin”,- u shpreh një qytetare.
 
“Jo, akoma tek ne shqiptarët nuk ndodh një gjë e tillë, edhe pse duhet të jetë, sepse fëmijët janë të njëjtë, sikurse vajza edhe djali janë të barabartë”,- tha një qytetar.
 
“Unë mendoj se po, ndahet njësoj”,- theksoi një qytetar.
 
Ligji për trashëgimi në vend, neni 13, parashikon që trashëgimtarë të një personi të jenë në rend të parë fëmijët dhe bashkëshorti i personit në fjalë. Ata trashëgojnë pjesë të barabarta të pasurisë. 
 
Askund nuk përmendet se ata mund të diskriminohen për nga gjinia. 
 
Vajzat janë tre herë më shumë të kequshqyerja se djemtë. Çdo vit rreth 2 milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara ose të detyruara në prostitucion.
 
Të dhënat mbi arsimimin flasin se rreth 36 milion vajza nuk janë të regjistruara në shkollë fillore.
 
Organizata e Kombeve të Bashkuara për herë të parë e shpalli 11 tetorin e vitit 2012-të si Ditë Ndërkombëtare të Vajzave.
 
Kjo ditë synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë globin në më shumë fusha në të mirën e shoqërisë.
 
MERAL ISMAILI